Avdullah Hoti kritikon agjendën e sotme të Kuvendit: Tallje me temat që diskutohen

09:55 | 22 December 2022

Hoti kritikon agjendën e sotme të Kuvendit: Tallje me temat që diskutohen.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar agjendën e sotme të Kuvendit, pasi që janë planifikuar tri seanca, nga ora 10:00, 12:00 dhe 13:00.

Hoti tha se kjo agjendë është tallje me temat që diskutohen dhe me ata që preken nga këto tema.

“Ora 10:00: Ligji për pagat dhe ligji për zyrtarët publik, që prekin jetën e 85 mijë zyrtarëve dhe familjeve të tyre. Ora 12:00: “Strategjia e energjisë 2022-2031”, tema më e rëndësishme e dekadës për secilin shtet, për qytetarët dhe për bizneset. Ora 13:00: Seancë e re me një marrëveshje ndërkombëtare për kredi, shtatë projektligje, debati për raportin e Komisionit Evropian dhe një raport për një agjenci. Për më tepër, janë edhe pesë apo gjashtë seanca të hapura që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit. Kjo është joserioze. Me këtë qasje kjo mazhorancë tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale. As debatin e opozitës nuk duan ta lejojnë”, ka shkruar Hoti.

“Sa u përket deputetëve të mazhorancës, ata janë aty vetëm për të ngritur dorën kur u kërkohet, pa u marrë me përmbajtjen e asaj që votojnë”, përfundoi ish-kryeministri.

Komento: