Avdulla Hoti ka marrë besimin e përkrahësve të LDK-së në Rahovec.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është përmbyllur me sukses procesi zgjedhor në Degën e LDK-së në Rahovec, dhe ai, do ta udhëheqë këtë degë.
“Falënderoj të gjithë anëtarët e LDK-së për kontributin e dhënë në zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, siç i ka hije LDK-së. Jam shumë i nderuar me besimin e anëtarëve të LDK-së për të udhëhequr me degën e LDK-së në Rahovec. Dëshiroj të falënderoj të gjitha strukturat e LDK-së për angazhimin gjatë këtyre katër viteve. Ka qenë privilegj për mua të kem besimin e mijëra aktivistëve të degës. Jam i bindur se Dega e LDK-së në Rahovec ka potencial të madh. E kam vërejtur tek qindra qytetarë që kam takuar gjatë zgjedhjeve nëpër 39 nëndegët e LDK-së në Rahovec në muajin e fundit”, ka shkruar Hoti.
Hoti thotë se LDK-ja e ka qartësuar vizionin e saj për qeverisjen e ardhshme.
“Dhe ne në Rahovec e kemi shumë të lehtë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve. Tash na presin shumë punë. Besimi i qytetarëve në LDK në mbarë Kosovën po forcohet çdo ditë. Kjo është përgjegjësi për ne, për LDK-në si partia më e vjetër në Kosovë që ka vënë themelet e shtetit të Kosovës. Duhet të përgatitemi për të marrë përsipër sfidat e forcimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës. Ne si degë mesatare e LDK-së nuk do të mbesim prapa. Ne mund të shkojmë përpara nëse e mbështesim njëri tjetrin, nëse i besojmë më shumë njëri tjetrit. Çdo veprim i imi në të kaluarën në Degë duhet kuptuar si veprim për të quar përpara Degën. Çdo veprim i imi në të ardhmen do të ketë vetëm këtë qëllim, që të qojë përpara Degën. Prandaj, i ftoj të gjithë anëtarët e LDK-së të punojmë së bashku, ta ruajmë dhe ta forcojmë LDK-në në Rahovec”, ka përfunduar Hoti.
Me zgjedhjen e tij në këtë post u nënkuptua se Hoti nuk do të bëhet kryetar i LDK-së tani për tani.