Avdullah Hoti reagon pas sulmit ndaj gazetarit Duriqi

12:44 | 25 Shkurt 2021

Hoti: Sulmi ndaj Duriqit i papranueshëm dhe i dënueshëm

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka reaguar pas sulmit që i është bërë gazetarit të Insajderit, Visar Duriqit, shkruan Gazeta Express.

Hoti ka thënë se një sulm i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të ndriçojnë sa më shpejtë këtë rast.

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ftoj organet e rendit për ndriçim sa më të shpejtë të këtij akti qyqar, ndërsa gazetarit Duriqi i uroj shërim dhe kthim sa më të shpejt në kryerjen e detyrës së tij. Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, ka shkruar ai.
Mbrëmë në mesnatë është sulmuar fizikisht gazetari Visar Duriqi, autor i emisionit hulumtues “Indoks”.

Sulmi fizik ndaj tij është bere nga tre persona ende të panjohur. Tre persona e kishin pritur gazetarin Duriqi, para hyrjes së banesës së tij.

Ai është sulmuar posa ka dalë nga vetura e tij.

Në këtë kohë Duriqi kishte qenë duke u kthyer në banesë, pas pjesëmarrjes në debatin televiziv Politico, në Kanal 10.

Gazetari Duriqi ka marrë lëndime dhe është trajtuar mbrëmë në Emergjencën e QKUK-së.

Policia ka dalë në vend ngjarje dhe është duke e hetuar rastin.

Komento: