Avdullah Hoti thotë se në PDK vendimet s’i merr Veseli, aty ka tjetër president.
Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka kritikuar Memli Krasniqin e PDK-së, se po kritikon të tjerët vetëm për t’u treguar vet të mirë.
“Është fushatë e keqe e juaja kur provon të shash kundërshtarësh e të fitosh vet. Përkundër, ti tregohesh i mirë para qytetarëve kur tregon cilësitë e tua. Por, kështu ju s’do të fitoni”, tha ai në Rubikon.
Hoti tha se në PDK vendimet s’i merr Kadri Veseli, sipas tij, “aty është një president tjetër, Veseli është vetëm përques i vendimeve të tij”.
“Për dallim nga LDK-ja që aty i marrim vet ne, s’konstruktohemi nga askush. Vjosa Osmani i çon përpara vendimet që merren brenda partisë”, tha ai.
Hoti tha se në LDK, asnjëherë asnjë ministër s’ka pasur aktakuzë.
“Kemi pasë para shumë vitesh një ministër e ai brenda ditës ka dhënë dorëheqje. Në qeveritë që ishte deri tash pati më shumë se pesë”, tha ai.
Hoti i është drejtuar Krasniqit duke thënë se “po distancoheni nga korrupsioni, e në parti keni individë me aktakuza”.
Sipas Avdullah Hotit, gjatë mandatit të PAN-it në krye me kryeparlamentarin Kadri Veseli, në çdo seancë ka pasë vetëm shtyrje e dështime.