Një ngjarje e frikshme ka ndodhur të dielën në aeroportin e Tiranës.
Një ditë më parë rreth 136 pasagjerë që udhëtonin me “Blue Panorama” u tmerruan kur avioni i nisur për në Ankona bëri ulje të detyruar në Rinas, për shkak të një defekti.
Autoriteti i Aviacionit Civil ka reaguar për ngjarjen dhe sqaron se “avioni ka bërë ulje të detyruar për shkak të konstatimit të tymit dhe një aromë të rëndë në kabinë pak pas ngritjes. Avioni është rikthyer menjëherë në Aeroport dhe është ulur pa probleme në orën 07:53”.
Pas uljes, ekspertët e operimit ajror të Autoritetit të Aviacionit Civil, bënë mbikëqyrjen nga afër të punës së teknikeve të avionit për gjetjen e shkaqeve të kësaj ngjarje pas uljes. Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, çka ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes.
Po ashtu sqarohet se pas defektit pasagjerët janë sistemuar në një avion tjetër i cili u nis nga Tirana në orën 10:00 dhe mbërriti në Ankona në 11:56, përfundon njoftimi i Autoritetit të Aviacionit Civil.
“Në bazë të rregulloreve evropiane, të cilave u referohen dhe autoritetet shqiptare gjatë punës së tyre mbikqyrëse, raporti i ngjarjes, ndërmarrë nga vetë kompania brenda 72 orëve, do t’i dërgohet palës italiane si autoriteti certifikues i kompanisë për të ndjekur hapat e nevojshme”,- sqarohet në reagimin e Aviacionit Civil.