Avni Arifi: Qeveria Kurti ka tendencë t’i përvetësoj të arriturat në çështjen e Veriut

15:28 | 16 Shtator 2024
avni-arifi:-qeveria-kurti-ka-tendence-t’i-pervetesoj-te-arriturat-ne-ceshtjen-e-veriut


Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të hënën deklaroi se po të mos ishte “Lëvizja Vetëvendosje” në pushtet, veriu i Kosovës do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, kushtëzimeve dhe pas imponimeve e pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet kosovare do të përfundonte në negociata.

Me këtë deklaratë të kryeparlamentarit nuk po pajtohet, ish/kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi.

Arifi në një prononcim për “Front Online” thotë se kjo shpërfaq tendencën e pushtetit për t’i përvetësuar të arriturat në veri.

“Deklarata e Konjufcës dëshmon deficitin e të arriturave të Qeverisë Kurti dhe shpërfaq tendencën e pastër me i përvetësuar të arriturat e të tjerëve në këtë temë”, u shpreh Arifi.

Ai thotë se kur është ndal shkëmbimi i territoreve, “Vetëvendosja” s’ka pasur kurrfarë roli politik.

“Shkëmbimi i territoreve ka qenë ide e rrezikshme që është ndal suksesshëm në vitin 2018 duke ju falënderuar Administratës Amerikane, Qeverisë Gjermani dhe pozicionit të kryeministrit në atë kohë dhe opozitës, kryesisht LDK. Roli i VV-së në këtë proces ka qenë inegzistente”, tha Arifi.

Ish/kryenegociatori për dialog, Avni Arifi ka vlerësuar se gjendja në veri është më keq se në qeverisjet e kaluara.

Ai e ka shpjeguar edhe arsyen.

“Pozicioni aktual i Veriut dhe i tërë komunitetit serb në Kosovë është në një mënyrë shumë më keq se sa përpara sepse Qeveria Kurti me veprimet e saj i ka arsyetuar kërkesat joracionale të Serbisë tek faktori ndërkombëtar për të drejta më të fuqishme”, deklaron Arifi.

Arifi ka përmendur edhe çështjen e Asociacionit.

“Për komunitetin serb dhe ekziston një kërkesë e sforcuar e pothuajse të gjitha shteteve të BE për një Asociacion shumë më të fuqizuar sesa që ishte kërkesa më parë”, përfundoi Arifi për Front Online.

Komento: