Analisti i njohur kosovar, Avni Mazreku dënohet me tri vjet qëndrim prapa grilave.
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor ish-drejtorin e kolegjit ISPE, Avni Mazrekun, për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rremë.
Kjo gjykatë e ka dënuar Mazrekun me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite, të cilin dënim do ta mbajë nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë.
“I akuzuari A.M. në vitin 2014 në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishte vënë në lajthim organin kompetetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest juridiko civil.
Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Ndaj Avni Mazrekut ishte ngritur aktakuzë në vitin 2016, për ‘legalizim të përmbajtjes së pavërtetë’ për hetimet që kishin nisur në vitin 2014 gjatë kohës sa ai kishte qenë drejtor dhe pronar i Kolegjit ISPE.
Mazrreku akuzohet se e kishte vënë në lajthim Agjencinë e Akreditimit kur u kishte paraqitur dëshminë se ai kishte kryer pagesën prej 19,300 Euro, gjatë kohës së ishte në proces akreditimi i kolegjit. Prokuoria pretendonte se kjo pagesë nuk ishte bërë asnjëherë porse me një dëshmi-pagese aplikacioni i Kolegjit ISPE ishte shqyrtuar në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, që ishte mbajtur më datën 1 korrik të vitit 2014.