Avokatët: Pezullimi i vizitave dhe komunikimit për ish-krerët e UÇK-së i paligjshëm dhe shkelje e të drejtave të njeriut

16:26 | 24 Nëntor 2023
avokatet:-pezullimi-i-vizitave-dhe-komunikimit-per-ish-kreret-e-uck-se-i-paligjshem-dhe-shkelje-e-te-drejtave-te-njeriut

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim i përkohshëm lidhur me komunikimet dhe vizitat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të pezullojë çdo vizitë dhe komunikim me persona të paprivilegjuar për tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale, shkruan Front Online.

Ky vendim është marrë pasi që Specialja pretendon se kanë zbuluar emrat e dëshmitarëve dhe kanë ndikuar në ta përmes, vizitorëve.

Sipas Zyrës së prokurorit të Specializuar, flitet për disa dëshmitarë të mbrojtur të procesit kundër ish-krerëve e për përmbajtje të dëshmive që do të duhej të ishin konfidenciale.

Për këtë vendim për Front Online kanë folur avokatë të akredituar të Speciales.

Sipas tyre ky vendim është i paligjshëm dhe shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut.

 

Musa: Vendimi për pezullimin e vizitave dhe komunikimit për ish-krerët e UÇK-së i paligjshëm

Avokati i akredituar i Speciales Skender Musa, thotë për Front Online thotë se vizitat e familjarëve janë të domosdoshme ndërsa vendimi për pezullim është i paligjshëm.

“Vendimi për pezullimin e të gjitha vizitave është i paligjshëm. Vizita e familjarëve është e domosdoshme edhe është obligim ligjor që garantohet me të gjitha ligjet e Kosovës duke filluar nga Kushtetuta e Republikës, Kodi i Procedurës Penale dhe ligji i Dhomave të Specializuara. Sa i përket vizitave me familjarë normalisht ligji e parasheh që të jenë nën mbikëqyrjen zyrtare të Qendrës së Mbajtjes në Paraburgim, ndërsa sa i përket vizitave të tjera, vizitave të shokëve dhe anëtarëve të tjerë më të lartë të familjes gjykatat kanë të drejtë ta bëjnë konsultimin e atyre vizitave”, është shprehur Musa për Front Online.

Por, a kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi, ish-krerët e UÇK-së?

“Nëse aktvendimi është marrë gjatë procedurës së shqyrtimit gjyqësore ato nuk ankimohen, ndërsa nëse është marrë aktvendim i veçantë kanë të drejtë ankese”, ka deklaruar ai.

 

Gashi-Bytyqi: Shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut vendimi i Speciales për pezullim të vizitave ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kurse, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi thotë për Front Online se vendimi i Speciales për pezullimin e vizitave dhe komunikimit për ish-krerët e UÇK-së ëhstë shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Ky vendim është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut për arsye se nëse kjo ka ndodhë edhe këta kanë provu që përmes personave që i kanë vizitu për të ndikuar në procedurë atëherë Kodi Penal i Kosovës e parasheh vepër të veçantë ndikimi ose ushtrimi i ndikimit në procedurë ose pengimi i procedurës penale, por jo që t’i ndalohet sepse është shkelje flagrante dhe në atë drejtim duhet më u hetu a është arrit ai efekt apo çfarë kanë thënë, a kanë ndiku ata te dëshmitarët është vepër penale që nuk duhet t’iu vihet në barrë”, ka deklaruar avokatja Gashi-Bytyqi.

Ndërsa, e pyetur se a kanë të drejtë ankesë, Gashi-Bytyqi ka dhënë këtë përgjigje.

“Për këtë çështje avokatët e tyre kanë vëmendje dhe në kuadër të ligjeve ata bëjnë kërkesa që t’iu lejohet apo t’iu hjeket kjo masë dhe tash të shohim çfarë pasoja ka, sa janë të mbështetshme këto sepse me rastin që e ka bërë gjykata që quhen përgjime ligjore këto e tregon se janë mjaftë serioze dhe janë në dëm të liderëve tonë, por pa marrë parasysh edhe kjo duhet të vërtetohet, pra edhe njëherë po them mund të jetë pengim i procedurës nëse vërtetohet sepse kontakti me familje është elementar”, ka shtuar ajo.

Që nga viti 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë duke u mbajtur në qendrën e Paraburgimit në Hagë, nën akuzat për krime lufte, derisa janë duke u dëgjuar dëshmitarë në procesin kundër tyre./Front Online

 

Komento: