Kastriot Feka, avokat i ish-arkëtarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, Bahri Rexha, ka hedhur dyshime nëse familjarë të krerëve të BIK-ut kanë përfituar nga avullimi i 166 mijë eurove, për të cilat raportoi “Betimi për Drejtësi” më 22 mars.
Në një reagim përmes rrjetit social “Facebook”, Feka ka thënë se për këtë duhet dhënë llogari nga kryetari i Këshillit të BIK në Prishtinë, Hetem Sopjani, që sipas tij ka qenë nënshkrues i çdo fature.
Në konferencën për medie të Këshillit të BIK në Prishtinë, avokati i tyre Florim Shefqeti ka deklaruar se nga ish-arkëtari Bahri Rexha ishin tërhequr një herë 17 mijë euro e më pas 11 mijë euro.
“Sot, dyshimi kryesor është se ku kanë mbetur 138 mijë eurot e tjera, nëse i marrim sikur të “mirëqena” (ndonëse nuk kanë bazë juridike) arsyetimet se Bahri Rexha i ka marrë fillimisht 11 mijë euro, e më pas edhe 17 mijë euro të tjera, siç është deklaruar gjatë ditës së sotme. Kush nga BIK i ka marrë ato? Apo i kanë marrë të gjithë së bashku, duke përfshirë dhe familjarë të afërt të krerëve të BIK-ut?!”, ka shkruar Feka.
Tutje, Feka ka thënë se kanë kërkuar takim me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, mirëpo i njëjti nuk i ka pranuar.
“Gjithashtu, u deklarua se kallëzimi penal nga ana e BIK është përpiluar para 2 ose 3 muajve. Si përfaqësues ligjor i z. Rexhaështë me rëndësi të theksoj se kam paraqitur kërkesën për takim me kreun e BIK-ut z. Naim Tërnava dy vite më parë. Për mua mbeten të paqarta arsyet pse kjo kërkesë është heshtur dhe nuk është pranuar”, ka shtuar Feka.
Për këtë, Feka ka ngritur disa pyetje ndaj së cilave, ai thotë se duhet të përgjigjet myftiu Tërnava.
“Z. Tërnava mund të ketë shmangur pyetjet përkohësisht nga opinioni publik, por jo edhe përballë drejtësisë, siç janë:
– A ka pasur mundësi z. Bahri Rexha, në pozitën që ka ushtruar, t’i ndalojë krerët e BIK që të marrin para pa mbulesë nga arka e Bashkësisë Islame të Kosovës?
– Cili është “krimi” që e kryer klienti im, Bahri Rexha, kur nuk ka lejuar keqpërdorimin e buxhetit? (Sqarim: Duke qenë doktor shkencash dhe njohës i mirë i ligjit, ai nuk ka pranuar ta shkelë atë edhe kur kjo është kërkuar prej tij.)
– Nga kjo shumë e të hollave që mungojnë, a kanë përfituar edhe familjarët e krerëve të BIK-ut?!
– Si është e mundur që për të gjitha këto shkelje të kryera nga persona që janë në krye të Bashkësisë Islame të kërkohet përgjegjësi vetëm nga një njeri që ishte hallka e fundit e zinxhirit? Dhe, i cili vetëm ka zbatuar urdhrat nga mbikqyrësit e tij, duke rënë pre edhe e ushtrimit të ndikimit të tyre.
– Kur është bërë auditimi i fundit në BIK, (nëse është bërë ndonjëherë)?
Si dhe pyetja e fundit, por jo më pak e rëndësishme: Pse u amnistua Hetem Sopjani, personi përgjegjës për këto mjete?”, ka shkruar Feka.
Avokati i ish-arkëtarit Rexha ka thënë se i njëjti është suspenduar pa të drejtë nga puna, kjo ngaqë sipas tij nuk kanë paraqitur asnjë provë që mund të juftisikojë keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Në atë postim, ai ka bashkëngjitur edhe letrën e 8 qershorit 2023, përmes së cilës thotë se i janë drejtuar myftiut Naim Tërnava rreth dyshimeve për keqpërdorimin e fondeve në BIK.
Ndryshe, anëtari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Bahri Sejdiu, në një konferencë për medie të dielen tha se deklaratat e ish-arkëtarit Bahri Rexha janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në prova dhe fakte konkrete.
Konferenca u thirr pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Ku u zhdukën 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë?”.
Sejdiu ftoi organet kompetente ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe profesionalizëm që të ndërmerren masat ligjore dhe të zbardhet e vërteta.
“Ritheksojmë se çdo deklaratë e bërë nga ish-arkëtari Rexha është e pabazuar dhe nuk mbështetet në asnjë provë ligjore”, tha Sejdiu.
Ndërsa, avokati i Këshillit të BIK në Prishtinë, Florim Shefqeti tha ndaj ish-arkëtarit që dyshohet se keqpërdori është paraqitur padi dhe kallëzim penal.
Në atë konferencë, Sejdiu tha se llogaritë tjera bankare të cilat i posedon Këshilli në Prishtinë janë në vazhdën e aktiviteteve për hetim.
“Kartelat tjera bankare janë në vazhdën e aktiviteteve për hetim dhe nuk janë futur në hetim të gjitha”, tha Sejdiu.
Këtë deklarim, Sejdiu e bëri pasi u pyet nga “Betimi për Drejtësi”, nëse në raportin për hetimin e brendshëm financiar në Bashkësinë Islame të Kosovës përfshihen të gjitha llogaritë.
“Betimi për Drejtësi” të shtunën (22 mars 2025) transmetoi emisionin “Ku u zhdukën 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë?”, i cili flet mbi dyshimet për keqpërdorim të qindra mijëra eurove në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Në hulumtim tregohet se për tre vjet me radhë të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qerave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur.
Nga viti 2020 deri më 2022 paratë e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të. Personit që po i drejtohet gishti t’i ketë përvetësuar qindra mijëra euro është Bahri Rexha, ish-arkëtar i Bashkësisë Islame për Prishtinë.
Shuma që BIK pretendon se është përvetësuar nga ish-arkëtari Rexha pretendohet të jetë 166 mijë euro, pasi fillimisht shuma pretendohej të jetë më e lartë.
Si rrjedhojë, Këshilli kishte themeluar një komision në përbërje të personave me njohuri në fushën e financave, i cili kishte kontrolluar faturat për periudhën 2020-2022. Pas këtij analizimi, llogaria doli se mungonin 166 mijë euro.
Ky raport i 6 qershorit 2023, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, pasqyron të gjitha pagesat dhe tërheqjet që dyshohet të jenë bërë nga arka dhe banka, pa nënshkrim të pranuesit të mjeteve apo pa përshkrim. Këto ishin bërë në emër të individëve privat e bizneseve.
Por, Bahri Rexha e mohon t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.
Një pjesë e parave të BIK dyshohet se u keqpërdorën duke lëshuar fatura fiktive. Raporti në vazhdimësi përmend një biznes për furnizim me dërrasa për varrim. Sipas raportit, për tre vjet me radhë kompania ishte paguar mbi 40 mijë euro më shumë.
Por, e vërteta pasqyrohet ndryshe nga bizneset. Biznesi në fjalë përmes një deklarate të dhënë pranë Bashkësisë Islame më 15 qershor 2023 të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thotë të jetë detyruar nga Rexha për t’i dhënë ryshfet në mënyrë që të vazhdohet porositja e dërrasave për varrezat tek ai, ose në të kundërt do t’i ndërpritej bashkëpunimin.
Në deklaratën e dhënë për BIK më 12 qershor 2023 të cilën po ashtu e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Përparim Bytyqi pronar i këtij biznesi, thotë se se biznesi i tij kishte qenë joaktiv, dhe nuk kishte qenë në dijeni të pagesave të bëra në emër të biznesit të tij.
Nën këto dyshime, Rexha fillimisht është suspenduar. Suspendimi është bërë në mars 2023. Ndërsa, nëntë muaj pas, përmes masës disiplinore, është larguar nga puna si arkëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë.
Por, për afër dy vjet, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur të fshehtë për institucionet e drejtësisë këtë vjedhje të pretenduar.
Përveç që Rexha dyshohet për zhdukjen e 166 mijë eurove të sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë dhe të hyrave nga qeratë e lokaleve, edhe kryetari i këshillit, Hetem Sopjani, mund të ketë konsumuar veprën penale “moslajmërim i veprës penale apo kryerësve të tyre”.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të zhvillojë intervistë edhe me kryetarin Sopjani, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur shkresës elektronike, shkrimeve në rrjete sociale a as thirrjeve telefonike. E pas një muaj pritje, kur Sopjani është hasur në rrugë, sërish i shmanget ballafaqimit me argumentet duke e quajtur ndaljen e tij joetike.
Mirëpo, pas gjithë këtyre, Rexha ka hedhur akuza të tjera ndaj drejtim të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava dhe kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Sopjani. Rexha pretendon se në vitin 2022 për motive personale myftiu Tërnava t’i ketë kërkuar njëherë 20 mijë e më pas 15 mijë euro para cash nga arka e Këshillit të BIK në Prishtinë. /Betimi për Drejtësi.