Avokati i Popullit ka një kërkesë për procesin zgjedhor

12:50 | 05 September 2019

Avokati i Popullit kërkon përfaqësimin të barabartë gjinor në procesin zgjedhor.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka lëshuar një deklaratë lidhur me përfaqësimin e barabartë gjinor në procesin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019.

Me këtë rast, duke pasur parasysh zgjedhjet paraprake, Avokati i Popullit rikthen vëmendjen e publikut të gjerë dhe të autoriteteve kompetente për mundësitë e barabarta për pjesëmarrje të të dyja gjinive, në të gjitha segmentet e procesit zgjedhor, duke e konsideruar barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillim demokratik të shoqërisë.

“Avokati i Popullit ua rikujton subjekteve politike se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, respektivisht neni 14 i tij, shprehimisht thotë: ‘Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”. Neni 6, paragrafi 7, i këtij ligji, ndër të tjera, specifikon: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji’”, thuhet në deklaratë.

Duke kujtuar edhe paragrafin 8 të këtij ligji, Avokati i Popullit thotë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Përballë hezitimit lidhur me përparësinë e zbatimit të akteve normative, Avokati i Popullit thekson zëshëm se dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore kanë përparësi ndaj dispozitave të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, që flasin për përfaqësimin gjinor.

Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Garantimi i mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi baza gjinore jo vetëm është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, por është përcaktim kushtetues dhe ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, përfshirë këtu partitë politike”, përfundon deklarata e Avokatit të Popullit.

Komento: