Avokati i Popullit: Për dërgimin e rastit të Dakës në Kushtetuese na duhet analizë

18:50 | 17 Qershor 2021

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se nuk kanë ende një qëndrim konkret sa i përket çështjes së dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të rastit të shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e Kryetares së KQZ-së.

“Lidhur me dërgimin e rastit të shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së në Gjykatën Kushtetuese, na duhet një analizë për këtë rast sepse pa një vlerësim paraprak nuk mund të dalim me një qëndrim konkret”, ka thënë Qelaj për Klankosova. tv.

Ndërkaq lidhur me raportimet për shkaktimin e tij, Qelaj ka thënë se nuk është në dijeni për këtë.

“Nuk kam informacione e as indikacione. Unë jam këtu për të respektuar kushtetutshmërinë dhe pavarësinë e institucionit nga çfarëdo ndërhyrje politike ose çfarëdo ndërhyrje tjetër”.

Ndryshe lidhur me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar edhe shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili deklaroi se për dërgimin e rastit të shkarkimit të Valdete Dakës nga presidentja Vjosa Osmani presin veprime nga Avokati i Popullit.

Madje Gashi theksoi se sipas tyre veprimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës ishte antikushtetues, por që të njëjtit do të presin veprimet e Naim Qelajt.

Kurse u.d së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj pak orë më parë deklaroi se kanë arritur që të mbledhin nënshkrimet e nevojshme nga opozita për të dërguar çështjen e shkarkimit të Dakës nga Osmani në Gjykatën Kushtetuese.

Lidhur me shkarkimin e Dakës pati reagime të njëpasnjëshme gjatë këtyre ditëve, ndër to edhe nga Shoqëria Civile të cilët në të shumtën e rasteve e panë këtë veprim si jokushtetues.

Komento: