
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, institucionet duhet të reflektojnë për veprimet që kanë ndërmarrë dhe përgjegjësitë që kanë pasur për të parandaluar raste të tilla.
Në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, Qelaj ka thënë se përtej deklaratave të zakonshme të tronditjes, institucionet duhet të shqyrtojnë nëse kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Përtej asaj që është bërë retorikë e zakonshme duke treguar se sa të tronditur jemi, mendoj që e para që duhet të bëjmë kur ndodhin raste të tilla është që të reflektojmë se çfarë kemi bërë, cilat kanë qenë veprimet tona në kuadër të kompetencave e përgjegjësive që kemi për t’i shmangur raste të tilla”, ka deklaruar Qelaj.
Ai ka theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Policinë dhe sistemin e drejtësisë, si autoritetet drejtpërdrejt përgjegjëse për sigurinë dhe jetën e qytetarëve, por ka shtuar se as pjesa tjetër e strukturës shtetërore nuk përjashtohet nga përgjegjësia, përfshirë institucionin e Avokatit të Popullit.
Qelaj ka thënë se, sipas tij, nuk ka pranuar më parë ndonjë ankesë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, por ka theksuar se në raste të ndjeshme angazhohet për të parë se çfarë informacioni ka institucioni që drejton.
“Unë, me sa e di, nuk na ka shkruar kurrë. Nuk arrij t’i mbaj mend të gjithë ankuesit, por kur ka raste të ndjeshme, menjëherë angazhohem për të parë se çfarë kemi për rastin. Nuk them se, po të ishte adresuar te ne, do të ndryshonte rasti, por besoj fuqishëm se të gjitha hallkat e shtetit duhet të shohin nëse kanë bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar raste të tilla, që fatkeqësisht janë raste të përsëritura”, është shprehur ai.
Gjatë diskutimit, Avokati i Popullit ka folur edhe për përmasat e dhunës në familje në Kosovë, duke thënë se numri i rasteve të raportuara nuk e paraqet domosdoshmërisht të gjithë realitetin, pasi një pjesë e dhunës mbetet e paraportuar.
“Ajo që e shpërfaqin statistikat është vetëm një pjesë. Kemi mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje të raportuara dhe mund të ketë edhe më shumë brenda mureve që nuk raportohen. Por mekanizmat kanë dështuar”, ka deklaruar Qelaj.