Avokati i Popullit: Vendim i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës ishte diskriminues, të rikthehet në pikën zero

11:12 | 23 May 2022

Avokati i Popullit me anë të një reagimi publik ka thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për përcaktimin e strukturës tarifore ishte diskriminues.

Sipas tyre, ky vendim duhet të kthehet në pikën zero duke shtuar se ka përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës, duke krijuar një situatë të pabarabartë.

“Vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve. Tarifat e ndryshme e të bazuara në nivel të konsumit të energjisë elektrike janë në kundërshtim me nenin 47 të Ligjit Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë ku theksohet domosdoshmëria që tarifat të kenë karakter jo diskriminues”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

“Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues”, shton Avokati i Popullit.

Po ashtu, aty thuhet masat afirmative të vendosura nga ZRRE-ja nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Vendimi për faturim retroaktiv dhe mos-reflektimi i saj në faturë si dhe mos-reflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të të drejtës së konsumatorëve për informim. Masat afirmative të vendosura në vendimin e ZRRE-së nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara dhe nga shtrenjtimi nuk preken njëjtë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi.

“Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim selektiv të çmimit të energjisë, për vendosje të bllok tarifave dhe vendimi për subvencionim gjithashtu selektiv bien në kundërshtim me parimet e vendosjes së tarifave të përshkruara në legjislacionin vendor, me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit”.

Në fund, Avokati i Popullit thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta themeloj Fondin e Konsumatorëve në Nevojë.

“Avokati i Popullit e vlerëson të nevojshme që Qeveria e Kosovës të themeloi Fondin e Konsumatorëve në Nevojë. Pakoja e re e paralajmëruar e legjislacionit në fushën e energjisë të përcaktoj qartësisht kufirin e varfërisë energjetike dhe ta ndërlidhë atë me të hyrat familjare në mënyrë që mbështetja për konsumatorët e cenueshëm të jetë e qëndrueshme, dinamike dhe të reflektoi situatën socio-ekonomike të tyre pa diskriminuar të tjerët”, përfundon reagimi.

Komento: