Ridvan Muharremi është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si i dyshuar për dallaveret me blerjen e rezervave shtetërore.
Avokati i tij, Mahmut Halimi ka thënë se Muharremi i ka dhënë të gjitha shpjegimet në Prokurori për rastin.
“Ridvan Muharremi është i pandehur, është i dyshuar. Tash po shohim, besoj që shpejt do të qartësohen gjërat dhe do të dihet gjithçkafi se ku është”, ka thënë Halimi përmes telefonit për “Betimi për Drejtësi”.
Intervistimin e tij e ka konfirmuar edhe PSRK-ja.
Ndërkohë, Halimi ka thënë se Muharremi ka qenë vetëm ndërmjetësues verablisht ndërsa të tjerët i kanë kryer punët.
“Ky ka ndërmjetësu verbalisht dhe të tjerët i kanë kryer punët, e kontaktet i ka vë tjetër kush, absolut”, ka deklaruar Halimi.
Halimi ka thënë se rasti ka të bëjë me blerjen e vajit dhe sheqerit por jo edhe të grurit.
Sipas tij, Prokuroria i ka të gjitha provat lidhur me mallin që kishte mbërritur në portin e Durrësit dhe për heqjen e bllombave nga porositë që kishin mbërritur nga Turqia. Ai ka deklaruar se klienti i tij s’ka të bëjë asgjë me këtë rast pasi zyrtarët e ministrisë kanë qenë përgjegjës.