Avokati i ushtarit të FSK-së: Azemi ishte i traumatizuar, gjuajti në vetëmbrojtje

17:14 | 07 January 2023

Një ushtar i FSK-së, dyshohet se ka plagosur dy persona dje në Shtëprcë, njëri prej tyre fëmijë 11 vjeç.

Avokati i të dyshuarit, Naim Ferati, ka thënë për Nacionale se në momentin kur është takuar me të, ai ka qenë i shqetësuar dhe traumatizuar, ndonëse thotë se i njëjti ka gjuajtur për t’u vetëmbrojtur pasi i kishin bllokuar rrugën.

Avokati i ka rrëfyer Nacionales se Kurtaj ka thënë se nuk e ka pritur që do të ndodhë kështu.

Ferati tutje ka treguar se nesër është seanca dëgjimore, duke thënë se klienti i tij, në këtë rast Azem Kurtaj ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

“Nesër e kemi seancën dëgjimore. Në këtë fazë, klienti im e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje tash për tash. S’kemi shumë informacione, sepse ende s’e kemi takuar. Rasti, sipas klientit tim, ka ndodhur në vetëmbrojtje. Duhet me folë tash me klientin e me i sqaru rrethanat. Dje ka qenë i shqetësuar, i traumatizuar. Nuk e ka pritë që po ndodh diçka e tillë”- i tha Nacionales Naim Ferati, avokat i ushtarit Azem Kurtaj.

Komento: