
Avokati Arbër Jashari ka komentuar mbi mos prezencën e kryeministrit Albin Kurti në Prokurori, duke theksuar se përgjigjja ndaj ftesës së Prokurorisë është një obligim ligjor për çdo qytetar.
Jashari tha për “Front Online” se nëse Kurti ka pasur një agjendë të ngarkuar dhe nuk ka mundur të shkonte në Prokurori, ekipi i tij mund të bashkëpunonte me Prokurorinë për të caktuar një datë tjetër më të përshtatshme për intervistimin.
“Nëse Kurti ka pasur një agjendë të cilën nuk ka mundur me shty, ekipi i Kurtit në bashkëpunim me Prokurorinë me e caktu një datë tjetër e cila është e përshtatshme. Me iu përgjigj Prokurorisë është obligim ligjor. Në raste të caktuara bëhen lëshime”, thotë avokati.
Jashari gjithashtu shtoi se nuk është praktik që Prokuroria të shkojë në Qeveri për të intervistuar Kurtin, pasi ai është vetëm dëshmitar dhe duhet të përgjigjet aty ku e cakton Prokuroria.
“Nuk besoj se ka arsye që Prokurorët me shkuar në kryeministri, sepse Kurti është veç dëshmitar, kështu që nuk duhet me iu bërë ndonjë favorizim dhe ai duhet me u përgjigj në vendin ku e cakton Prokuroria”, tha ai.
Në rast se Kurti vazhdon të shmanget, Jashari paralajmëroi se ai mund të gjobitet dhe, në rastin më ekstrem, mund të përballet me dënim me burg deri në një muaj.
“Ai mundet me u gjobitë e pastaj mundet me u dënuar deri në një muaj në rastin më ekstrem, derisa dëshmia e tij të bëhet e parëndësishme për procesin. Është e përcaktuar me ligj kjo. Ka mundësia reale që ligji ia ka lënë në dorë Prokurorisë që fillimisht të shkoj me gjobë e pastaj me dënim me burg”, shprehet avokati për “Front Online”.