Po vazhdojnë të rejat nga rasti tronditës i 16 vjeҫarës nga Drenasi.
Avokati Gazmend Halilaj nga Drenasi sot ka përfunduar në pranga të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ai ndonëse u shpall hero nga shoqëria civile për raportim të rastit me vajzën nga Drenasi, u kap me urdhër të Prokurorit të Shtetit nën dyshimin se është i përfshirë pikërisht në skandalin me vajzën nga Drenasi.
Indeksonline nga burimet brenda Inspektoratit Policor të Kosovës ka mësuar se ndalimi i avokatit është bërë pasditen e sotme në Drenas.
Halilaj ditë më parë ishte intervistuar në IPK me urdhër të prokurorit, mirëpo më pas u la i lirë deri sot pasdite kur të njëjtit iu vendosën prangat.
Avokati sipas IPK-së u kap me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penale të Kosovës.
Bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera sipas Kodit të Procedurës Penale.
Deri më tani në pranga në lidhje me vajzën nga Drenasi kanë përfunduar katër persona: Polici Vesel Veseli, arsimtari Shkelzen Xhekaj, mjeku Fehmi Ahmeti dhe avokati Gazmend Halilaj.