Avokati Artan Qerkini ka deklaruar për “Front Online” se për zgjidhjen e çështjes së dëmeve të luftës, është e nevojshme që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të tregojnë interes të vërtetë për bashkëpunim.
Ai theksoi se Kosova mund të ketë interes për një bashkëpunim në konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve të luftës, ndërsa nga Serbia nuk duket të ketë tregues për një angazhim të tillë.
“Nevojitët interesimi i dy palëve. Nga Kosova mund të ketë interes për bashkëpunim në konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve të luftës, por siç shihet nga Serbia nuk ka tregues të një bashkëpunimi në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje”, shprehet Qerkini për FrontOnline.
Sipas Qerkinit, në mungesë të një marrëveshjeje direkte ndërmjet dy shteteve, ekzistojnë mekanizma të tjerë për konstatimin dhe riparimin e dëmeve.
Ai theksoi se Kosova nuk mund të drejtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të mungesës së statusit të anëtarësisë në OKB.
“Në mungesë të një marrëveshje ekzistojnë mekanizma dytësorë konstatimin dhe riparimin e dëmeve të luftës kjo çështje do të duhej të përfundonte në Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sepse është çështje në mes të dy shteteve por për fat të keq duke qenë që Kosova nuk është ende anëtare e OKB, kjo nuk ka mundësi që në mënyrë të pavarur sa i përket kësaj çështje t’i drejtohet Gjykatës”, deklaroi Qerkini.