Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka deklaruar se dhjetëra pjesëtar të Policisë së Kosovës më 2 nëntor në Vushtrri kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 2 të rriturve dhe katër të miturve.
Në një reagim të AVONET thuhet se Policia kishte marrë informacion se në atë veturë ndodhej një person i kërkuar. Mirëpo, rezultoi se personi i kërkuar nuk ishte në atë veturë.
Sipas AVONET, përkundër kësaj, të rinjtë kanë pësuar lëndime trupore, përfshirë lëndime në hundë, ballë dhe shpinë si rezulat i dhunës policore.
“AVONET dënon ashpër këto veprime, të cilat janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për kryerjen e detyrave dhe autorizimeve policore dhe Udhëzimin Administrativ për përdorimin e forcës nga zyrtarët policorë. Sjellje të tilla nga ana e policisë jo vetëm që bien ndesh me ligjin, por cenojnë drejtpërdrejt të drejtat e njeriut dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Policisë së Kosovës”.
“Mosreagimi dhe mungesa e një deklarate publike nga Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast është edhe më shqetësuese për ne si organizatë. Në një situatë ku të rinjtë janë bërë viktima të veprimeve potencialisht të paligjshme, autoritative dhe arbitrare të policisë, heshtja zyrtare është një cenim i përhershëm i besimit publik ndaj institucioneve”, thuhet në reagimin e AVONET. /
Në këtë kontekst, AVONET pret nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) që të trajtojë këtë rast sipas obligimeve të tyre ligjore, në mënyrë të paanshme dhe profesionale.