Azem Syla i reagon Mehmet Krajës pas skandalit me “pamfletin”

17:59 | 06 January 2023

“Shpifjet e akuzat tua janë të pafalshme dhe antikombëtare”

Listës së gjatë të atyre që i kanë reaguar kreut të Akademisë së Shkencave, Mehmet Krajës, i është shtuar edhe Azem Syla. Dhe atë, me një shkrim autorial.

Ish-Komandanti i Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla shkruan se nuk ka pasur dëshirë të merret me Krajën, porse nuk bëhet rehat pa e thënë atë që “e ndjen në shpirt”.

Syla në shkrimin që e ka publikuar në disa prej mediave kosovare, ia bën një seri pyetjesh kreut të Akademisë, për shkrimin që fillimisht u publikua pa autor nga ASHAK, e që pas reagimeve, u tha se e kishte shkruar Mehmet Kraja.

Ish-komandanti thotë se shkrimi ngjante sikur të ishte shkruar nga Beogradi, ndërsa Krajës i thotë se UÇK-ja është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës.

“Ti hodhe baltë mbi vlerën tonë kombëtare dhe të jesh i sigurt ti, të jenë të sigurt ata që mendojnë si ti (nëse ka), të jenë të sigurt edhe armiqtë, por të jenë të sigurt edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që ne me luftën tonë e kemi bërë shumë mirë detyrën atdheut e kombit, për të cilën jemi krenar se i kemi vënë një kurorë lavdie historisë kombëtare shqiptare. Ama po të them se shpifjet dhe akuzat tua janë të pa falshme, janë të dënueshme, janë antikombëtare dhe kundër vlerave të shqiptarëve”, shkroi Syla.

Për të shkrimi i kreut të ASHAK-utë është i pafalshëm dhe i dënueshëm.

Ai e pyet Krajën edhe nëse kjo qasje e tij antikombëtare ka qenë “e rastit”, apo i ka shërbyer qëllimshëm dikujt.

“Pse o akademik Mehmet Kraja dole në këtë pozicion antikombëtar? A mendon se është e rastit, apo kështu ke qenë i ndërtuar mbrapsht por tani të doli fytyra e vërtetë, apo ndonjë interes i ligë? Uroj të mos jetë aq i ligë sa të vijë nga Beogradi, por që i shërbeve më mirë dhe më fortë se askush tjetër kësaj radhe kjo po është shumë e qartë”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e Sylës.

Komento: