Azem Vllasi: Peter Sorensen mund të jetë më i sukesshëm se Lajçaku në dialogun Kosovë-Serbi

19:38 | 24 January 2025
azem-vllasi:-peter-sorensen-,und-te-jete-me-i-sukesshem-se-lajcaku-ne-dialogun-kosove-serbi


Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, është deklaruar  lidhur me emërimin e diplomatit të BE-së, Peter Sorensen, si ndërmjetës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Vllasi e vlerëson Sorensen për përvojën e tij të gjatë diplomatike dhe njohurinë mbi rrethanat në rajon, duke theksuar se ai mund të jetë më i suksesshëm se Miroslav Lajçaku.

Suksesi i Sorensen, sipas Vllasit, do të varet nga korniza që do t’i caktohet nga Bashkimi Evropian.

“P. Sorensen ka përvojë të gjatë si diplomat dhe është njohës i mirë i rrethanave në regjion. Ka shërbyer në Kosovë, Serbi e Bosnje. Gjithsesi do të jetë më i suksesshëm se Lajçaku. Suksesi i tij si ndërmjetësues në dialog do të varet nga ajo se si ia cakton kornizën e dialogut BE”, tha ai.

Njohësi i çështjeve politike nënvizoi se sukseset në dialog do të varen gjithashtu nga qëndrimi i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat duhet të ushtrojnë trysni të barabartë ndaj të dyja palëve.

“Derisa BE dhe SHBA të bëjnë trysni vetëm ndaj palës kosovare që ta ruaj stabilitetin dhe qetësinë në Kosovë e jo edhe te pala serbe dhe deri sa të insistoi vetëm te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ashtu si e synon Serbia, sukses në dialog nuk ka. Besoj se z. Sorensen këtë do ta ketë para sysh”, u shpreh Vllasi.

Vllasi ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në parimin e njohjes reciproke, pasi të dyja janë shtete të pavarura dhe sovrane.

Ai ka kujtuar se më shumë se 110 shtete, përfshirë 22 anëtare të Bashkimit Evropian, kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Duhet ta dimë se bëhet fjalë për dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës-Serbisë si dy shtete të pavarura e sovrane. Kosovën e kanë njohur më shumë se 110 shtete, ndër to 22 anëtare të BE. Duke vendos për ankesën e Serbisë kundër shpalljes të pavarësisë me 17 shkurt 2008, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar qartë se me këtë nuk është shkelë e Drejta Ndërkombëtare dhe as Rezoluta 1244 e KS të KB. Kjo mund të konsiderohet si njohje ndërkombëtare e Kosovës”, tha ai.

Vllasi ka deklaruar se pas heqjes së Kosovës nga Kushtetuta serbe, duhet të caktohet një afat të shkurtër për njohjen e Kosovës nga Serbia, siç kanë vepruar edhe shtetet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia.

“Në vazhdim të dialogut duhet precizuar afatin se kur duhet Serbia ta heq Kosovën nga Kushtetuta e vet ku figuron që nga koha si e pat fut dhunshëm regjimi i Millosheviqit. Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, asnjë shtet nuk ka të drejt ta trajtoi një shtet tjetër si pjesë të veten. Pas kësaj duhet të caktohet një afat jo i gjatë kur Serbia do ta njeh Kosovën si shtet të pavarur sikur që i ka njoh të tjerat të dala nga ish-Jugosllavia. Sepse, pa njohje reciproke dy shtete nuk kanë çka të konsiderojnë normalizim reciprok”, përfundoi Vllasi për FrontOnline.

Komento: