Azemi i VV-së: Ndjej keqardhje për familjen e Mujecit, është familje atdhetare

16:26 | 15 Gusht 2023
azemi-i-vv-se:-ndjej-keqardhje-per-familjen-e-mujecit,-eshte-familje-atdhetare

Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se arrestimi i anëtarit të tyre, Besnik Mujeci nuk duhet të lidhet me motive politike apo me partinë të cilës i takon.

Ai e ka përmendur edhe vrasjen e ndodhur më 4 gusht në “Bon Vivant”, duke thënë se këto çështje nuk duhet të politizohen.

“Për vrasjen e ndodhur në Bon Vivant, tha mos e fajsoni PDK-në dhe Uranin, edhe pse edhe të përfshiret në rast kanë lidhje me PDK. Ndërsa për arrestimin e një prej rreth 200 asambleistëve të Lëvizjes tentojnë ta bëjnë lidhjen me VETËVENDOSJEN. Edhe vet i kam kundërshtuar akuzat politike ndaj ngjarjes në Bon Vivant. Por kur i shoh sot disa që tregohen kaq hipokrit, nuk po arrij ta besoj se në çfarë niveli bijnë vetëm ta dëmtojnë sado pak Lëvizjen”, ka shkruar Azemi në Facebook.

Ai ka thënë se ndjen keqardhje për familjen Mujeci që siç thotë ai, “është një familje atdhetare dhe sigurisht se nuk e kanë të lehtë ta përballojnë këtë sfidë”.

“Për një gjë jam i sigurt se edhe ata do kërkojnë përgjegjësi maksimale për këtë rast. Besniku e secili përson mbi 18 vjet është përsonalisht përgjegjës për veprimet e veta. Uroj që drejtësia ta thotë sa më parë fjalën e vet dhe para saj secili të jap përgjegjësi”, ka vijuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur procedurë disiplinore ndaj asamblistit Besnik Mujeci, i cili u arrestua gjatë ditës së sotme në Shqipëri.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se janë arrestuar pesë persona nën dyshimet për transportim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Ata kanë bërë të ditur se të arrestuarit transportonin lëndë narkotike nga Kosova në Tiranë dhe më pas e shpërndanin në plazhe.

Për një nga të arrestuarit është raportuar se është asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci.

Të arrestuarve u janë konfiskuar 10 mijë doza të drogës ekstazi.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Egzon Azemi nga VV ka thënë se ende nuk kanë mundur ta konfirmojnë nëse bëhet fjalë për të dhe se janë duke tentuar ta konfirmojnë një gjë të tillë.

Azemi theksoi se nëse kjo gjë vërtetohet, Mujeci do të përjashtohet menjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk e kemi konfirmuar ende, e kam parë këtë emër që po qarkullon në portale, por nuk e di a është i njëjti, nuk munda ta kontaktoj Besnikun, do të tentojmë të kontaktojmë dhe ta kuptojmë për cfarë bëhet fjalë. Ende s’e kemi verifikuar a është… Nëse është i vërtetë lajmi, hapi i parë që do të bëjmë është ta përjashtojmë direkt nëse konfirmohet nëse është i arrestuar për këtë arsye”, ka thënë ai.

Sipas Policisë së Shqipërisë, “shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”.

Pesë të arrestuarit dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike nga Kosova në Shqipëri.

“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftim…

Të arrestuarit, sipas Policisë, janë: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Komento: