Azemi kërkon rritjen e pagave në sektorin privat

10:43 | 19 November 2019

Rritja e pagave në sektorin privat po del të jetë kërkesa e radhës e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Udhëheqja e Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës dhe kryetarët e disa shoqatave kanë vendosur për fillimin e protestave dhe grevave për punëtorët e sektorit privat nga dita e sotme.

Kërkesat e tyre janë rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit të punës, marrëveshjes kolektive etj.

Ata kërkojnë kushte më të mira të punës dhe paga jo më pak se 350 euro.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur në sektorin privat, Jusuf Azemi tha se sot në Prishtinë dhe Gjilan punëtorët të protestojnë.

“Mbi 1 mijë punëtorë në dy komunat e Kosovës, do të protestojnë për shkak të kushteve jo të mira”, tha ai në një intervistë për RTK.

Sipas tij punëtorët në Kosovë nuk kanë kushtet të mira të punës, atyre ju shkelet edhe e drejta elementare për pension, pasi atyre nuk u paguhet kjo.

Azemi bëri me dije se Ligji i punës nuk po zbatohet.

“Pse vetëm në sektorin privat nuk po zbatohet ligji i punës, ka shumë biznese që sot po përfitojnë në kurriz të sektorit privat”, pohoi ai.

“Sot dhe nesër protestojnë punëtorët teknikë të Qendrës Studentore, punëtorët teknikë të disa shkollave që menaxhohen nga Komuna e Prishtinës, punëtorë teknikë të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknikë të disa shkollave në Gjilan. Greva fillon nga ora 10:00 dhe mbahet deri në ora 11:00, ku punëtorët do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët”, tha ai.

Azemi bëri me dije se Komuna e Prishtinës ka lëvizur në këtë drejtim.

“Paga kërkohet të jetë 350 euro dhe do të marrim masa të tjera”, tha ai.

Komento: