Azemi për ikjen e punëtorëve: Brenda dy viteve mund të mbyllen spitalet

00:09 | 03 Maj 2023

Ikja e punëtorëve, Azemi: Brenda dy viteve mund të mbyllen spitalet.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se vetëm Qeveria e Kosovës nuk po e merr shqetësim largimin e fuqisë punëtore nga Kosova drejt perëndimit.

Ai ka thënë se brenda dy viteve rrezikohet mbyllja e spitaleve, si pasojë e mungesës së punëtorëve për mirëmbajtjen e tyre.

“Të jesh i bindur që nuk ka me shku dy vite, nëpër spitale s’ke me pasë mirëmbajtje të spitaleve, dhe spitalet kanë me u mbyllë. Ta them me shumë bindje, sepse çdo ditë jam me punëtorë, në rrugë e punishte”, ka thënë Azemi në emisionin “DPT te Fidan Jupolli”.

“Vetëm qeveria fare nuk është e shqetësuar për ta parandaluar atë që mund të parandalohet. Tash çështja kombëtare është e kryer dhe tani secili duhet ta shikojë veten. Qeveria është ajo që duhet të përkujdeset për shtetin”, ka shtuar ai.

Sipas Azemit, të rinjtë tashmë e kanë humbur besimin te institucionet e vendit. Ai ka thënë se edhe po të bëhej paga 1,000 euro, ata më nuk mund të binden që të rrinë në Kosovë.

“Njerëzve edhe nëse ua jep nga 1,000 euro, tashmë e kanë humbë besimin te institucionet tona dhe ata nuk ndalen”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Azemi ka treguar se si dënohen kundërligjshëm punëtorët në markete të mëdha, të cilëve, sipas tij, nga pronarët u faturohet dëmi i mallit të prishur.

“Në markete të mëdha, ka raste kur punëtorëve u faturohet dëmi nga malli i prishur. Disa herë e kemi thënë këtë publikisht”, ka deklaruar Azemi.

Komento: