Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka reaguar ministrit Faton Peci në lidhje me lajmet që po qarkulllojnë, ku thuhet se ai ka ndikuar që vëllai i deputetes, Fitore Pacolli të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.
Pacolli, përmes një postimi në facebook i ka thënë Pecit mos të mërzitet për çdo akuzë që të drejtohet, pasi mund të japë përshtypjen se është i vërtetë.
Ai i përmendi një rast ku thotë se Peci e quajti atë agjent të presidentit rus Vladimir Putinit dhe homologut serb të këtij të fundit Aleksander Vuçiq.
“Nëse akuzat që janë bërë ndaj teje nuk janë të vërteta, mos reago fare, ashtu siç nuk reagova unë kur ti më quajte publikisht agjent të Putinit dhe Vuçiqit”, ka shkruar Pacolli.
Tutje Pacolli, i ka thënë ministrit që qetësia dhe përmbajtja janë shpesh përgjigjja më e fortë ndaj kritikave të pabaza.
Postimi i plotë:
Ministër Peci,
Mos u mërzit për çdo akuzë që të drejtohet. Reagimi emocional, si ai që bën ti zakonisht, mund të japë përshtypjen se është i vërtetë. Fjala më e mirë është durimi.
Nëse akuzat që janë bërë ndaj teje nuk janë të vërteta, mos reago fare, ashtu siç nuk reagova unë kur ti më quajte publikisht agjent të Putinit dhe Vuçiqit.
Qetësia dhe përmbajtja janë shpesh përgjigjja më e fortë ndaj kritikave të pabaza.