
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Bahamas ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur, duke shënuar një hap të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Përmes një postimi, Osmani njoftoi se dje në Nassau, kryeqytetin e Bahamas, përveç aktit të njohjes, është nënshkruar edhe Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, së bashku me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis.
Sipas presidentes, ky akt zgjeron rrethin e shteteve mike të Kosovës dhe forcon pozitën e saj në arenën ndërkombëtare, duke reflektuar besimin në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, ka theksuar Osmani.