Bahtiri i kundërpërgjigjet komandantit të KFOR-it: Të gjitha luftërat bëhen për territore

22:46 | 08 February 2019

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri i është përgjigjur komandantit të KFOR-it, Lorenzo D’Adario.

Komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Adario ka reaguar në lidhje me deklaratat dhe retorikën e luftës të përdorur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nga kreu i Komunës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri e në lidhje me këtë ka reaguar ky i fundit.

Komandanti i KFOR-it, D’Adario është shprehur i shqetësuar nga retorika që po përdoret sepse vetëm një fjali e vetme mund të jetë shkëndijë e problemeve të mëdha.

“Gjëja për të cilën jam shumë i shqetësuar është retorika që po përdoret, sepse vetëm një fjali e vetme mund të jetë një shkëndijë që mund të dërgojë në probleme shumë më të mëdha, prandaj unë në mënyrë konstante apeloj tek të gjithë, te qytetarët, që të jenë të kujdesshëm, që të mos shkaktojnë pasoja të mëdha me fjalët e tyre”, ka thënë komandanti i KFOR-it.

E në lidhje me këtë në një prononcim për lajmi.net është përgjigjur kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Ai është shprehur se Komandanti i KFOR-it e di për lëvizjet dhe punët e tij, dhe ka falënderuar shtetet mike të Kosovës për bashkëpunimin në krijimin e paqes.

“Komandanti i KFOR-it dhe ai pararendësi i tij, e kanë ditur se punët e mija, aksionet e mija së bashku me KFOR-in, miqtë ndërkombëtar, duke e falënderuar edhe ambasadorët dhe ambasadat e ndryshme që janë në Kosovë, sidomos të SHBA-ve, Gjermanisë e Anglisë që kanë bashkëpunuar me mua për ta krijuar paqen dhe unë jam për paqe”, është shprehur Bahtiri.

Por, Bahtiri nuk është distancuar nga deklarata e tij sa i përket çështjes së Mitrovicës.

Ai ka potencuar se të gjitha luftërat në botë bëhet për territore dhe sipas tij, tentimet për ndarje të Mitrovicës janë thirrje për destabilizim, shkruan lajmi.net.

“Por ju duhet ta dini se çdo luftë që bëhet në botë, bëhet për territore dhe ne kam thënë se në qoftë se preket Mitrovica, këtë e tha edhe delegacioni i Gjermanisë në KS të OKB-së, kur preket kufiri reagon çdokush, unë nuk mund të them se çdo thirrje për ndarje të Kosovës e sidomos të Mitrovicës është thirrje për destabilizim, jo vetëm në Mitrovicë por gjithë rajonin”, ka vazhduar Bahtiri.

Bahtiri gjithashtu është shprehur optimist se territori i Mitrovicës nuk do të preket asnjëherë.

“Sepse prekja e territorit të Mitrovicës, ku qytetarët janë ndjerë krenar, me zhvillimin ekonomik me Trepçën, sot të jetë e ndarë në qytete dhe nesër të jetë e ndarë në shtete, kjo nuk do të ndodhë asnjëherë”, ka vazhduar Bahtiri për lajmi.net.

Bahtiri gjithashtu duke folur në lidhje me përpjekjet e tij për bashkimin e Mitrovicës është shprehur se kjo do të bëhet në kontribut të paqes, qetësisë, fqinjësisë së mirë dhe qytetarëve evropianë.

Sipas tij, bashkimi i Mitrovicës është i mundshëm.

“Më e mira e këtij vendi është që qytetarët të jetojnë në një qytet të përbashkët siç kanë jetuar gjithmonë, qytetarët evropianë dhe jo qytetarët të cilët e shikojnë njëri-tjetrin me urrejtje. Kam kërkuar dhe kam lobuar, që të bashkohen qytetarët dhe të harrohet e keqja”, ka shtuar Bahtiri.

Duke përfunduar se: “Unë e kërkoj paqen, por gjithmonë do jem këmbëngulës të kërkoj drejtësinë e këtij vendi”.

Komento: