Bahtiri i kundërpërgjigjet Lladrovcit, përmend disa incizime gjatë kohës së luftës

18:13 | 25 August 2019

Vazhdojnë përplasjet mes partive dhe kanditatëve të ndryshëm.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka deklaruar se partitë politike dhe gjithë qytetarët e Kosovës e dinë se besimi i është dhënë si individ, sepse sa për AKR, as 5 për qind e votave nuk do t’i merrte, rezultate i cili do të vërtetohet në zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Ai iu ka reaguar ish deputetit Dardan Molliqajt dhe kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Këtij të fundit i ka thënë se është krenar që askush nuk e ka kandiduar, duke i bërë shantazh me incizime të paraluftës a luftës.

Reagimi i plotë:

Aderimi im dhe i qindra aktivistëve e simpatizantëve nga AKR-ja në Lëvizjen Vetëvendosje, duket se i ka vënë në siklet ata që patën dëshirë ta shkatërrojnë këtë subjekt politik dhe shpresën për ndryshim me në krye Albin Kurtin.

Edhe pse personalisht nuk jam marrë shumë me reagimet e ndryshme që po ndodhin ditëve të fundit, mirëpo më vjen keq për atë që ka shkruar njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt në VV që e kam pasur gjatë qeverisjes time në mandatin e parë, z. Dardan Molliqaj.

Unë i jam falënderues për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për lidhjen e koalicionit të VV-së më mua si kryetar komune në vitin 2016, ku z. Molliqaj ishte personi kryesor që e ka negociuar marrëveshjen dhe që e ka vlerësuar lartë punën time, ku ndër të tjera pat thënë: “E kemi vlerësuar qëndrimin e tij dhe e vlerësojmë edhe sot, besojmë që është i vetmi person në institucionet e Republikës së Kosovës që ka pas një qëndrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe të fuqishëm”.

Sa i përket çështjes së mandatit të fituar me AKR-në, ai, partitë politike dhe gjithë qytetarët e Kosovës e dinë se unë jam votuar si individ dhe besimi më është dhënë si Agim Bahtiri, sepse sa për AKR as 5% nuk i kisha marrë, gjë të cilën rezutati i zgjedhjeve të parakohëshme nacionale do ta vërtetoj së shpejti.

E kam edhe një porosi për Ramiz Lladrovcin, se unë nuk them që kam as vlera të vogla, as shumë të mëdha e as jashtëtokësore siç i quan ai, por mendoj se kam vlera mesatare e normale, që janë të mjaftueshme. Mirëpo, jam krenar që askush nuk më ka kandiduar, duke i bërë shantazh me incizime të paraluftës a luftës.

E kam thënë edhe më 2017 në Klan Kosova, e kam thënë edhe dje, po e them edhe sot, se kandidati më i duhur për kryeministër të Kosovës është z. Albin Kurti, të cilit do t’i jap përkrahje dhe ndjehem mirë që jam pjesë e subjektit të tij politik.

Komento: