Bahtit fillon nënshkrimin e peticionit për bashkimin e Mitrovicës

12:48 | 24 Dhjetor 2018

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duket se nuk e ka ndërmend të heq dorë nga ideja për bashkimin e Mitrovicës.

Ai së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, të shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale sot kanë nënshkruar peticionin përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që të iniciojë procedurën për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave.

Kjo kërkohet që të bëhet bashkimi i qytetit të Mitrovicës, por duke mos cenuar në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, njofton komuna.

“Nga sot fillon peticioni për bashkimin e Mitrovicës, prandaj edhe ne si institucione lokale kemi shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që këtë iniciative ta përmbyllim me bashkim të qytetit”, ka thënë kryetari Agim Bahtiri.

“Kërkoj nga ju që të dalim faqebardhë me këtë peticion , e t’i drejtohemi në mënyrë legjitime Kuvendit të Kosovës. Nuk do të ketë parti politike, por do të jemi ne për të gjithë, peticioni fillon sot, dhe në qoftë se dikush do të ketë hamendje që nuk do të realizohet gabon sepse do të realizohet. Ju lus si qytetar i Mitrovicës që ti dilni zot vendit tuaj, dhe ditën e sotme ti përgjigjen vullnetarisht dhe masivisht iniciativës sime”.

Ky peticion ka shtrirje në tërë Kosovën, me theks të veçantë në Mitrovicë janë vendosur pesë pika, duke filluar para objektit të ndërtesës komunale, tek sheshi i qytetit, në afërsi të stacionit të autobusëve, tek xhamia ”Isa Begu”, ku qytetarët kanë mundësi të nënshkruajnë këtë peticion.

Komento: