Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do ta nënshkruajë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Këto deklarata ai i ka bërë në emisionin “Këndi i Debatit” në tëvë1, duke thënë se nuk do ta firmosë as opsionin që propozon Gjykata Kushtetuese.
“Unë mendoj qëndrimi është që nuk do të ketë njëetnik dhe nuk do të ketë Asociacion i cili do të ketë kompetenca ekzekutive. Kurti tregoi se nuk do të ketë fare Asociacion. Unë po flas që Kurti nuk do ta nënshkruajë asnjëherë Zajednicën qoftë edhe konform Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk besoj që do ta nënshkruajë, kurrfarë Asociacionin edhe e ka përmend se çka është një etnike nuk do ta implementojë”, tha ai.
Sipas tij, formimin e një Asociacioni të tillë nuk e parasheh as plani franko-gjerman, teksa shton se propozimin e Kushtetueses nuk e pranon Serbia.
“Po, kështu unë të paktën edhe plani franko-gjerman nuk e parasheh formimin, këtu është problemi nuk e parasheh. Epo tash unë mendoj se është problem edhe i Serbisë sepse këta me siguri edhe kur e kanë analizuar atë projekt e kanë parë që kompetenca ekzekutive në sistemin lokal nuk mund të ketë. Atë Gjykatës Kushtetuese nuk ta pranon edhe sot Serbia, është zhveshur prej 22 kompetencave, por veç Vuçiqi nuk e thotë e dua atë Gjykatës Kushtetuese. Serbia nuk e pranon atë e ka thënë publikisht”, shtoi ai.
Madje, ai thotë se presioni për këtë çështje është më i madh në vend sesa ndërkombëtar.
“Shpesh mendoj më shumë po kemi presion nga brenda sesa nga jashtë shpesh flitet që ka nga jashtë por besoni shumë ka më shumë presione publike nga njerëz me ndikim dhe nga opozita sesa ndërkombëtarë, unë vet kam diskutuar shpesh ka më shumë presion nga brenda për situata dhe vendime të caktuara”, tha ai.