Gecaj i ka dhënë një ‘goditje’ nënkryetarit të AAK-së.
Ish-këshilltari i Isa Mustafës, Bajram Gecaj, ka shkruar përsëri reagim ndaj Muharrem Nitajt të AAK-së, për debatin e hapur se kush e ka shkelur më shumë kushtetutën.
Gecaj thotë se Nitaj po sillet “si pula pa krye”.
Postimi i tij:
Muharrem Nitaj si duket ka marrë përsipër një “misionin të pamundur” nga shefi i tij që të sulmoi Isa Mustafën bash “si pula pa krye”, dhe atë në stilin “sulmi është mbrojtja më e mirë”! Pasi që së paku në paraqitje japë përshtypje si njeri i letrave, Nitaj së pari do të duhej ta lexonte me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetues në të cilin, pos tjerash, theksohet qartë si kristali se Presidenti Hashim Thaçi, me kërkesën e gjykatës, nuk e kishte dekretuar ligjin në fjalë.
Megjithatë, kjo assesi nuk e amniston Presidentin Thaçi nga përballja me pasojat morale, politike e ligjore për tejkalimin e kompetencave të tija në procesin e dialogut.
Muharrem Nitaj: …“E dyta, meqë i paskeni gjetur të gjithë shkelësit e Kushtetutës; Qeverinë, Parlamentin, deputetët, pse nuk e keni përmendur edhe Presidentin, që është filtri i fundit i një ligji para se të hyjë në fuqi!?”…
Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj e ka pyetur Kryetarin e LDK’së Isa Mustafën se pse s’po e përmend edhe Hashim Thaçin kur po flet për shkelësit e Kushtetutës lidhur me Ligjin për Dialog e Ekipin Negociator.
“E dyta, meqë i paskeni gjetur të gjithë shkelësit e Kushtetutës; Qeverinë, Parlamentin, deputetët, pse nuk e keni përmendur edhe Presidentin, që është filtri i fundit i një ligji para se të hyjë në fuqi!?”, ka shkruar Nitaj, në reagimin e dytë ndaj Isa Mustafës.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka kërkuar shkarkimin e Qeverisë dhe të Parlamentit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Ekipi i votuar fillimit në Ekzekutiv e pastaj në Kuvend u shpall jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Muharrem Nitaj ka thënë se edhe Isa Mustafa është shkelës i Kushtetutës për faktin se kishte nënshkruar një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumice Serbe, i cili po ashtu ishte rrëzuar nga Kushtetuese se shkelte.
“Për Ish-kryeministrin i kam disa pyetje: Nëse qenga turp që një deputet ta votojë një ligj i cili mund të rezultoj i papajtueshëm me Kushtetutën, pse nuk qenka turp që një Kryeministër të nënshkruaj një marrëveshje ndërkombëtare e cila nuk qenka në pajtim në 23 nene të saj me frymën e Kushtetutës!?”, ka shkruar Nitaj.
Ndërkohë, në reagimet e mëhershme, Nitaj tha se Isa Mustafa po luan me idenë se veza e pulës së kojshisë është më e madhe.
Isa Mustafa tha se një debat i tillë për shkelje të kushtetutës s’duhet të degradojë në debat pulash e vezësh.