Bajram Gecaj pretendon se PDK ka lidhje me Vucicin në Veri

11:33 | 18 May 2019

Pretendimet e Bajram Gecajt se PDK dhe Veseli kanë lidhje me Vucicin në Veri.

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, sipas disa materialeve që i ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook po pretendon se PDK bashkë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin kanë lidhje me Aleksandër Vucicin në Veri të Kosovës.

Gecaj thotë se për të qenë në pushtet, PDK, është e gatshme të bashkëpunojë me çdokënd.

“Janë në gjendje të bëjnë bash gjithçka dhe të bashkëpunojnë bash me gjithsecilin, përfshirë këtu edhe me djallin”, thotë Gecaj.

Sipas tij, PDK ka lidhur aleancë me me partinë e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, si dhe me Listën Serbe. Këtë lidhje Gecaj e ka ilustruar edhe me disa fotografi dhe një sqarim rreth kësaj që po pretendon.

Postimi i plotë i tij:

Aleanca e “shëndoshë” (jo) parimore PDK-SNS apo Thaçi/Veseli-Vuçiq!

PDK ka provuar deri më sot që, për të marrë dhe/ose për të mbajtur pushtetin, janë në gjendje të bëjnë bash gjithçka dhe të bashkëpunojnë bash me gjithsecilin, përfshirë këtu edhe me djallin! Një bashkëpunim i tillë paska ndodhur edhe në procesin e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave veriore, edhe pse është mjaft diskutabile nëse kjo vlen vetëm për këto zgjedhje apo se ky bashkëpunim është pjesë e një plani më të madh konspiracionesh e koalicionesh (jo) parimore!

Bazuar në shënimet e bashkangjitura të KQZ-së, PDK duket të ketë lidhur aleancë të “shëndoshë” (jo) parimore me partinë e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me Listën Serbe të Kosovës. Apo ndoshta kanë filluar të zgjerojnë anëtarësinë e tyre edhe në këtë mes. Kjo, pasi që 29 nga 32 përfaqësuesit e PDK-së në vendvotimet e shkollave të Leposaviqit janë të komunitetit serb. E kjo vërtetë është për çdo lëvdatë, pasi që na shtyn të besojmë që partia e “komandantëve” (PDK) e paska kuptuar shumë seriozisht konceptin e Kosovës multi-etnike, duke filluar kështu ngritjen e anëtarësisë së tyre edhe nga radhët e serbëve të Leposaviqit.

Në një foto të publikuar këtyre ditëve në web-faen e tyre (http://www.pks-ks.com/pitanje-za-aleksandra-vucica/), si dhe ne faqen e tyre të Facebook-ut, Partia e Serbëve të Kosovës (Partija Kosovskih Srba – PKS), nga komuna e Leposaviqit, në mesin e këtyre PDK-istëve kishte identifikuar edhe dy individë të tillë, të cilët paskan ecur këmbë nga Leposaviqi deri në Beograd për të marrë pjesë në mitingun mbi të “Ardhmen e Serbisë”, në përkrahje të Presidentit Serb Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, edhe pse ishin përgatitur për të marrë pjesë në zgjedhje, në momentin e fundit PKS ishte tërhequr në bojkot, pasi që, sipas tyre, Thaçi e Vuçiq veçse ishin marrë vesh, kështu që çfarëdo pjesëmarrjeje do të nënkuptonte vetëm legjitimim i rezultateve krejtësisht të manipuluara nga ata!

Në foton e bashkangjitur (të rrumbullaksuar) janë këta dy aktivistët e PDK-së, Nikolla Niçiforoviq dhe Millosh Ivanoviq:

Komento: