
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kandidatit për deputet nga radhët e VV-së.
Glauk Konjufca, të cilët kanë deklaruar se buxheti i Kosovës është rritur nga 2.3 miliardë euro në 4 miliardë euro gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Bajrami ka quajtur këto pohime gënjeshtra të mëdha, duke sqaruar se ato janë të pavërteta dhe të manipuluara.
“Gënjeshtra e madhe e Albinit para tri netëve, e përsëritur nga Glauku mbrëmë, ishte ajo rreth buxhetit, kinse këta e paskan marrë buxhetin 2.3 miliardë euro dhe e kanë rritur në 4 miliardë euro. Kjo është absolutisht e pavërtetë”, shkroi Bajrami.
Sipas Bajramit, 4 miliardë euro janë një projeksion për vitin 2026, ndërsa realizimi i buxhetit për vitin 2024 ka qenë 3.2 miliardë euro, ndërsa deri më 30 nëntor 2025, realizimi ka qenë 2.854 miliardë euro.
“4 miliardë euro janë projeksion për vitin 2026, ndërsa realizimi i buxhetit në vitin 2024 ka qenë 3.2 miliardë euro, e këtë vit deri më 30 nëntor realizimi i buxhetit është 2.854 miliardë euro. Pra, gënjeshtra e Kurtit për buxhetin peshon hiç më pak se 800 milionë euro, pak a shumë e njëjtë me koston e importit të energjisë elektrike që ka ndodhur në mandatin e tyre”, vijoi tutje ajo.