Bajrami kërkon me çdo kush rrëzimin e Qeverisë, këta janë arsyjet

21:08 | 13 Korrik 2019

Po kërkohet me ngulm rrëzimi i Qeverisë.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë të bëhen bashkë për ta rrëzuar Qeverinë dhe shpëtuar Kosovën.

Ka thënë se Qeveria e koalicionin PAN ka shkaktuar aq shumë skandale sa rrëzimi i saj do të shpëtonte edhe partitë në pushtet.

“Për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të votojnë gjithë deputetët shqiptarë, edhe ata të AAK-së, për ta shpëtuar këtë vend. Për të mos lejuar vazhdimin e thellimit të skandaleve”, ka propozuar Bajram përmes llogarisë së saj në “Facebook”.

Ajo ka thënë se me largimin e kësaj Qeveria dhe shkuarjen në zgjedhje duhet të kthehet normaliteti në qeverisje me LDK’në në krye të Ekzekutivit.

Postimi i plotë i Hykmete Bajrami:

Qeveria e një milion skandaleve, sa më shpejt që rrëzohet fiton Kosova

Për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të votojnë gjithë deputetët shqiptarë, edhe ata të AAK-së, për ta shpëtuar këtë vend. Për të mos lejuar vazhdimin e thellimit të skandaleve.

Pothuajse çdo ditë kjo Qeveri ka prodhuar vetëm skandale si në ekonomi, si në drejtësi, si në arsim, si në diplomaci, si në bujqësi e shëndetësi.

Kryeministri është dashur të largohet qysh kur kërcënoi Elez Blakajn, prokurorin që u detyra të largohet nga Kosova.

Ky Kryeministër është dashur të shkojë kur plasi skandali i takimeve të fshehta me Serbinë.

Ky Kryeministër është dashur të shkojë në shtëpi edhe tash kur plasi skandali me noterët.

Ky kabinet qeveritar duhet të shkojë për shkak se e ka rrënuar arsimin. Merreni me mend emërojnë rektor të një universiteti publik anëtarin e Këshillit Drejtues të PDK-së. Dhe, s’ju vjen asnjë pikë keq pse e kanë degraduar kaq shumë këtë vend.

Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri është dashur të shkojnë në shtëpi në momentin kur plasi skandali i 3 milionë eurove të granteve nga Ministria e Bujqësisë.

Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri duhet të shkojnë pse kanë rrënuar çdo komunikim normal me bashkësinë ndërkombëtare.

Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri duhet të shkojnë edhe për shkak se shkelën Kushtetutën kur krijuan Ekip Antikushtetues.

Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri duhet të rrëzohen për shkak se po keqpërdorin paratë e qytetarëve duke angazhuar mijëra njerëz me kontrata mbi vepër.

Kjo Qeveri duhet të shkojë sepse e ka keqpërdorur dhe harxhuar Rezervën Shtetërore.

Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri duhet të shkojë edhe për një milion arsye tjera.

Nisma e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë duhet të përkrahet edhe nga partitë në pushtet. Sepse edhe ato parti përfitojnë pasi ndalen skandalet.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në vend duhet të vijë në krye të Qeverisë. Që të rikthehet normaliteti në këtë vend Qeverinë e ardhshme duhet ta përbëjë opozita e sotme. Shteti duhet të çkapet nga ata që e kanë kapur sot. Keqbersit duhet të japin llogari. Dhe, ky proces do të ndodhë shpejt me fitoren e partisë që ka lidhjet më të forta me njerëzit e këtij vendi dhe me miqtë ndërkombëtar, pra me LDK-në.

Komento: