Bajrami: Mosdalja në votime protestë qytetare – është koha të mendojmë përtej karrigeve!

11:00 | 09 Qershor 2026
bajrami:-mosdalja-ne-votime-proteste-qytetare-–-eshte-koha-te-mendojme-pertej-karrigeve!

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka falënderuar të gjithë qytetarët që votuan Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe besuan te kjo parti.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami theksoi po ashtu se mosdalja në votime është një mesazh i qartë për secilin, e që sipas saj është protestë qytetare.

Bajrami shtoi se abstenimi i qytetarëve është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse Kosova erdhi në situatën ku mbahen zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje.

“Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori,  përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit. Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje”.

“Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet. Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve”, ka shkruar ajo.

Ish-deputetja tha se rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, sipas saj, “nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë. Faleminderit!”.

Komento: