Bajrami: Nuk ka pako të ringjalljes ekonomike 420 milionë euro

21:50 | 17 November 2021

Hykmete Bajrami i ka reaguar Qeverisë Kurtit mbi pakon e ringjalljes ekonomike.

Ish-ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka thënë se nuk ka pako të ringjalljes ekonomike në vlerë prej 420 milionë euro në projekt-buxhetin e vitit 2022.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se po ashtu nuk ka pasur pako të ringjalljes ekonomike në vlerë prej 450 milionë euro në buxhetin e vitit 2021 siç e kanë proklamuar Qeveria dhe shumica në Kuvend.

“Shihni vetë sa është pakoja e rimëkëmbjes-ringjalljes ekonomike: fotoja është pjesë e shkëputur nga raporti nëntëmujor i vitit 2021 i Buxhetit të Kosovës. Dokument ky i aprovuar në Qeveri dhe i nënshkruar nga Kurti”, shkruan Bajrami.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fund të tetorit të këtij viti ka miratuar projektbuxhetin për 2022 në vlerë 2 miliardë e 746 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

“Buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investim në arsim e edukim me ndërtimin e 50 çerdheve të reja në tërë vendin, shkollimin falas për të gjithë studentët, si dhe ndarjen e 2 mijë bursave shtesë për studentët më të mirë. Më tutje, Buxheti i vitit 2022 synon të ndihmojë edhe ekonominë familjare me ndarjen e 45 milionë euro për të mbështetur nënat me Shtesat për Lehona e Shtesat për Fëmijë, ndarjen e 35 milionë eurove më shumë për kategoritë pensionale e sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesat për skemat sociale prej 30% të bëhen të përhershme”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Kurti u zotua se me dhjetë milionë euro të ndara do të furnizojnë policinë dhe zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta, ndërsa 100 milionë euro do të ndahen për ushtrinë.

Komento: