Balla: Historia do të na dënojë dhe ne nëse nuk e mbrojmë sot UÇK-në

15:00 | 19 Shkurt 2026
balla:-historia-do-te-na-denoje-dhe-ne-nese-nuk-e-mbrojme-sot-uck-ne

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi në Kuvend se nuk ka një raport të ri të veçantë për Shqipërinë në Parlamentin Europian, por një rezolutë të përvitshme që bazohet në gjetjet e Komisionit Europian.

Sipas tij, draft-rezoluta e këtij viti është ndër më pozitivet ndër vite, pasi vlerëson progresin në procesin e integrimit dhe konfirmon avancimin në hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave.

Ai theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 varet nga zbatimi i reformave dhe nga ulja e polarizimit politik, duke përshëndetur angazhimin për bashkëpunim në komisionet e posaçme për reformën zgjedhore dhe territoriale.

Balla u ndal edhe te zhvillimet në politikën e jashtme, duke e cilësuar si ditë të rëndësishme për Shqipërinë mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, iniciuar nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ku kryeministri Edi Rama është përzgjedhur si një ndër folësit kryesorë. Ai e konsideroi këtë një arritje të madhe për marrëdhëniet me SHBA-në dhe për rolin e ri ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Balla renditi si suksese përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, presidencën e OSBE-së dhe përgatitjet për samitin e NATO-s në Tiranë, duke kërkuar votimin e ligjit për shërbimin e jashtëm si pjesë e përgatitjes për anëtarësimin në BE.

Në fund, ai ngriti çështjen e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar të papranueshme akuzën ndaj UÇK si ndërmarrje kriminale. Sipas tij, Shqipëria ka përgjegjësi morale dhe politike të mbrojë pastërtinë e luftës çlirimtare dhe pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai theksoi se, sipas tij, mbrojtja e historisë së UÇK-së është detyrim kombëtar dhe politik për përfaqësuesit shqiptarë në çdo kontakt me ndërkombëtarë, shkruan eunews.al.

Fjala e plotë:

E para, nuk ka ndonjë raport në parlamentin europian, ka një rezolutë që është e përvitshme, që bëhet nga parlamenti europian, nga raporteri mbi bazën e gjetjeve të raportit të Komisionit Europian. E meqë e thatë këtë dhe hyra në këtë se s’kisha fare ndërmend të flisja, është drafti i paraqitur, i rezolutës, në vlerësimin tim se sapo po e krahasoja me vitet e paraardhëse, është përsëri më i miri ndër shumë vite. Sepse e para, dhe filloj të citoj, hap thonjëzat: “Vlerësohet progresi i arritur në procesin e integrimit”.

E dyta, konfirmohet avancimi i vendit në hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave. Dhe nënvizon se rruga drejt mbylljes së negociatave deri në fund të 2027-ës, pa dyshim që do të varet nga zbatimi i reformave, për të cilat jemi të angazhuar, dhe në funksion të asaj që tha kryetari i Komitetit Politikave të Jashtme në Parlamentin Europian, ftesa jonë për të adresuar pikën tjetër që vjen që është polarizimi i tejskajshëm i diskursit politik, dhe i nevojës për të adresuar të gjithë së bashku prioritetet kryesore, reformat kryesore, ua kemi thënë, dhe e përshëndes faktin që Partia Demokratike, grupi parlamentar i saj dhe partitë e tjera të përfaqësuara kanë reflektuar pozitivisht sa i përket punës së përbashkët që duhet të bëjmë në dy komisionet e posaçme të reformave, reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

E dyta, për të mos humbur kohë me këtë, sot është një ditë e rëndësishme për politikën e jashtme, të Shqipërisë. Ndoshta do të kishte qenë mirë që ju t’i kërkonit ministres së jashtme programin e mbledhjes së parë të bordit të paqes sot në Uashington. Prej orës 8:38 me orën e Uashingtonit, që i bie diku rreth orës 14:38 në orën e Shqipërisë, çel punimet për herë të parë, ky bord i paqes i iniciuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nderin e madh të përfaqësojë Shqipërinë, dhe sigurisht të jetë përzgjedhur si një ndër folësit kryesorë sot në takimin e bordit të paqes. Ti i shkreti unë për ty dhe të shkretët këta për ty, po ta jap programin, ta lexosh. Shiko, ti je i vetmi, je i vetmi që nuk mban përgjegjësi për ato që thua. Dhe e ke shumë, e ke, je ato që the atë ditë, atë ditë janari këtu, t’i falëm, në këtë takim sot, programin po të duash ta jap, pastaj dil vetëm burrërisht që të kërkosh falje s’ke, s’e ke…. edhe pas fjalës së mbretërve, presidentit, i pari ndër kryeministra vjen kryeministri, nuk janë të gjitha vendet që do të flasin.

Të shkretët ne për ju, shyqyr ne që ju kemi e shkreta Shqipëri që ju ka, mirë, mirë, dakord, dakord, dakord. Se the, zotrote, para pak javësh këtu që nuk do të shkojë dot në, kështu është kur s’ke turp, dhe besoj që kjo është një arritje e madhe për marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati ynë strategjik, është një moment historik për angazhimin e Shqipërisë, kryeministri Rama do të flasë në të njëjtin grup ku do të flasin udhëheqësit e vendeve që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në çështjet e paqes afatgjatë në Gaza e shoqëruar kjo me një plan investimesh të rëndësishme në atë rajon.

Shqipëria nuk do të kontribuojë financiarisht sa i përket angazhimit në Gaza, por Shqipëria përmes kryeministrit të saj do të kontribuojë në vendosjen e urave të bashkëpunimit të dialogut mes palëve, për shkak të një roli të ri që ka marrë Shqipëria, dhe këtu gjej rastin të përgëzoj edhe çdo diplomat të shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë meritën e tyre, në disa prej këtyre arritjeve të rëndësishme, sikurse ishte pjesëmarrja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, që ishte një arritje historike një në një shekull, po të kemi parasysh le të themi radhën e vendeve që e marrin atë, për dy vite me radhë Shqipëria në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Gjermaninë, me vendet e tjera të Bashkimit Europian, luajti rol tepër të rëndësishëm në ditë të vështira të Këshillit të Sigurimit, drejtuam presidencën e OSBE-së në vitin më të vështirë të OSBE-së, ndoshta që nga krijimi i vetë, flas këtu për vitin kur bota u përball me çështje të rëndësishme dhe të vështira sigurie, dhe po ashtu bëhemi gati për vitin e ardhshëm, për samitin e NATO-s, që është një tjetër arritje e rëndësishme e Shqipërisë sonë të përbashkët.

Samiti i NATO-s në Shqipëri është kurorëzimi pas disa samiteve të rëndësishme sikurse ishte ai i Këshillit, sigurisht ai samiti i Ballkanit Perëndimor dhe i BE-së, dhe i Komunitetit Europian, vitin e kaluar, kështu që dashur kolegë të opozitës, unë mendoj që ju takon edhe ju ta votoni ligjin për shërbimin e jashtëm, është punuar seriozisht për muaj me radhë, janë bërë edhe disa ndryshime që kanë qenë refleksione edhe nga Komisioni për Europën dhe Punën e Jashtme, kanë qenë refleksione edhe nga Qeveria, për të t’i dhënë Shqipërisë shërbimin e jashtëm të Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian, brenda këtij mandati Qeverisës, të cilët na kanë besuar shqiptarët.

E në fund, jo për nga rëndësia, sepse më e rëndësishmja padyshim që lidhet me Bordin e Paqes, lidhet me rolin e Shqipërisë, por besoj që secili prej nesh, sa herë të na jepet mundësia, edhe në zbatim të asaj deklarate që miratuam së bashku një javë më parë, e përshëndes angazhimin e Qeverisë në funksion të Deklaratës së Kuvendit një javë më parë, lidhur me pastërtinë e Luftës Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është e papranueshme motra e vëllezër përpjekja e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë për të quajtur ushtrinë çlirimtare të Kosovës një ndërmarrje kriminale. Është e papranueshme është e se si mund t’i vishet një lufte çlirimtare kjo akuzë e cila as nuk bazohet në prova, dhe më e rëndë se kaq është se si mund të arrihet në përfundimin që viktima të jetë më fajtore se vrasësi se përdhunuesi dhe si ai që sot e kësaj dite mban përgjegjësi për 1600 trupa ,motra e vëllezër shqiptarë të Kosovës të cilët në atë gjuhën e poshtër burokratike quhen të zhdukur, të vdekur por të pakallur. Dhe në këtë këndvështrim mendoj që sa herë na jepet mundësia të flasim me të huaj, të flasim me partnerë ndërkombëtarë, na takon si përgjegjësi morale, politike kombëtare ta ngremë çështjen e pafajësisë së katër udhëheqësve të UÇK-së, presidentit Thaçi, kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ministrit të brendshëm Rexhep Selimi, të cilët kanë pasur nderin e madh jo vetëm të luftojnë për lirinë për çlirimin e Kosovës, por kanë pasur dhe nderin e madh të kontribuojnë në krijimin e shtetit të Kosovës. Në momentin historik të shpalljes së Kosovës, e këtu dua t’ju kujtoj disa prej jush që në 17 shkurt kemi qenë këtu në këtë sallë të mbledhur, ka qenë një ditë në mos gaboj ditë e diel, po jemi mbledhur të gjithë në këtë sallë, pikërisht për ta ndjekur nga Shqipëria, nga Parlamenti i Shqipërisë atë moment historik kur presidenti Thaçi mbante fjalën e shpalljes së pavarësisë.

Sot ngrihet një akuzë kundrejt udhëheqësve dhe turpi i takon prokurorëve, të cilët sot themeluesit e shtetit të Kosovës i konsiderojnë anëtarë të një ndërmarrjeje kriminale. Kjo është një përgjegjësi që na takon të gjithëve dhe nëse nuk do të bëjmë dot gjithçka që duhet për ta ndaluar këtë paturpësi, historia do na bëjë edhe ne fajtorë që nuk arritëm në momentin që shqiptarët na kishin zgjedhur të ishim përfaqësues të tyre të mbrojmë historinë e ndritur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faleminderit.

Komento: