Ministri i Shtetit të Shqipërisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka marrë pjesë në konferencën dyditore të organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve të Parlamentit Evropian, në Bruksel, mbi programin Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së, ku deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në 2030-ën.
Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se Shqipëria e nisi këtë proces në vitin 2014, pas Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe tani i ka parakaluar fqinjët.
Më tej, Balla kërkoi hapjen e negociatave edhe për Kosovën, raporton ATSH.
“Ne do të donim shumë që çdo vend t’i niste negociatat. Gjithashtu, Kosova e meriton t’i nisë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur – sa më shpejt që ju të mundeni. Dhe ne duam shumë që edhe Maqedonia e Veriut t’i nisë negociatat,” deklaroi Balla.
Ministri Balla i dha përgjigje interesimit të eurodeputetit kroat, raportues i PE për Serbinë, Tonino Picula, mbi marrëdhëniet me SHBA pas rizgjidhjes së presidentit Trump, duke deklaruar se Shqipëria është vendi më proeuropian dhe proamerikan në Evropë.
“Sa i përket pyetjes për zotin Trump, si president i Shteteve të Bashkuara. Në Shqipëri, nëse shqiptarët pyeten për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, më shumë se 90% janë pro. Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në Evropë, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së, që ka një përqindje kaq të lartë të mbështetjes për anëtarësimin në BE.
Por gjithashtu jemi me fat, sepse jemi vendi më proamerikan në Evropë. Kështu që, sipas mendimit tim, këto të dyja lidhen me njëra-tjetrën. Dhe fitorja e Trumpit si president i SHBA mund të shihet gjithashtu si një mundësi e madhe për Evropën – fillimisht që të mendojë për bashkëpunim më të fortë”, tha Balla.
“Dhe, së dyti, e dini atë shprehjen e Albert Ajnshtajnit: “Në mes të çdo vështirësie, ekziston një mundësi”? Le ta shohim këtë si një mundësi për Evropën,” përfundoi fjalën e tij ministri Taulant Balla.
Në panelin “Mbështetje Praktike për Përgatitjet e Anëtarësimit në BE” të punimeve të ditës së parë të kësaj konference, ministri Balla theksoi se Shqipëria, si dhe vendet e tjera pjesëmarrëse sot, ashtu siç e ka thënë Willy Brandt, lideri vizionar që ia kushtoi jetën pajtimit të Lindjes me Perëndimin në Evropë, duan të provojnë shansin për më shumë demokraci.
Ai shprehu krenarinë për përparimin e rëndësishëm që kemi arritur deri tani, përfshirë hapjen e dy grup-kapitujve të negociatave.