Ballkani e rikthen lidershipin

15:22 | 23 February 2023

Dita e mysafirëve, Ballkani e rikthen lidershipin.

Sot ishte dita e mysafirëve në Superligën e Kosovës në futboll.

Ballkani dhe Llapi i kanë fituar duelet përkatëse në udhëtim, duke e kompletuar kështu javën e 21-të të ligës elitare, e cila u zhvillua në mesjavë.

Therandasit e siguruan trepikëshin e madh vetëm në minutat e fundit të takimit në Mitrovicë.

Ekipi Portokalli festoi falë golit të Albion Rrahmanit, të shënuar në fund, ani pse kishin edhe raste të tjera më herët.

Me këtë rast, ekipi nga Suhareka e riktheu pozitën e liderit dhe shkëputjen tripikëshe ndaj ndjekëses kryesore, Drita.

Nga ana tjetër, mitrovicasit u mbajtën mjaft mirë për më shumë se 85 minuta, por në fund e lëshuan një pikë nga dora, për të mbetur në pjesën e poshtme të tabelës.

Ndërkohë, në duelin tjetër të sotëm, Llapi e shënoi një fitore të rëndësishme në Klinë pasi e mundi Dukagjinin me rezultat identik, 1:0.

Golin e hershëm të fitores së llapjanëve e shënoi Festim Alidema.

Në vazhdim, klinasit nuk qenë të aftë për ta barazuar rezultatin, përkundër tentimeve që i kishin.

Komento: