“Ballkani i Hapur” s’dallon fare nga CEFTA

21:49 | 09 Dhjetor 2021

Ish-drejtori i Doganës: “Ballkani i Hapur” s’dallon fare nga CEFTA.

Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, tha se iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur” për nga aspekti i tregtisë dhe ekonomisë nuk dallon fare nga CEFTA.

Sipas Huruglicës, “Ballkani i Hapur” mund të shihet vetëm si një ritheksim i zotimit për zbatim të CEFTA-s.

“Kjo që po diskutojmë do të kishte qenë më aktuale nëse do ta kishim diskutuar para vitit 2006, para se të hynim në CEFTA, sepse faktikisht ne po diskutojmë për ‘Open Balkan’ edhe sikur po harrojmë që CEFTA veç funksionon çdo ditë. Edhe nëse e lexoni te preambula e ‘Open Balkan’ te aspekti i tregtisë dhe i ekonomisë absolutisht nuk ka asgjë prej asaj që është në CEFTA – vet CEFTA është. Së paku nga këndvështrimi im, ose së paku nga ajo që është thënë deri sot, është një ritheksim i zotimit të tre udhëheqësve të tri shteteve për ta zbatuar CEFTA-n në mënyrë më të drejtë”.

Huruglica, në Rubikon të Klan Kosovës, theksoi se ekziston një perceptim i gabuar se tregu i Kosovës është aq i rëndësishëm për Serbinë sa vendosja e çfarëdo mase do ta dëmtonte këtë të fundit.

“Të dhënat e vitit 2020 tregojnë se eksporti serb në Kosovë merr pjesë me vetëm 1.02 % në totalin e eksportit serb dhe pretendimi ynë se faktikisht Serbia përfiton më shumë, unë them ku është dallimi me CEFTA-n, sepse nëse ajo po përfiton po përfiton edhe tash. Kosova është faktikisht duke e zbatuar marrëveshjen e CEFTA-s edhe pa qenë vetë anëtare. Dihet se nënshkruesi ka qenë UNMIK-u dhe unë pajtohem se Kosova duhet të luftojë që ta forcojë pozitën e saj të të qenit e barabartë në iniciativa të tilla, po status quo-ja nuk i konvenon Kosovës në asnjë rast”.

Komento: