Ballkani i jep leksione Ludogoretsit në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve

22:45 | 11 July 2023

Super Ballkani: I jep leksione Ludogoretsit në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Ballkani e ka fituar ndeshjen e parë ndaj Ludogoretsit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve me rezultat 2-0.

Pas vetëm dhjetë minutash lojë, Ballkani rrezikoi me anë të Albion Rrahmanit, por që sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje.

Shtatë minuta më vonë, Edvin Kuç pati shansin që të kalonte skuadrën nga Suhareka në epërsi, mirëpo goditja e tij ishte e plogësht dhe e pasaktë.

Në minutat në vazhdim, Lorenc Trashi me disa depërtime u mundua që t’i gjente në zonë bashkëlojtarët, mirëpo që ishte i pafat.

Një rast të mirë shënimi e lëshoi edhe Meriton Korenica, kur në minutën e 31-të, kaloi mirë – por gjuajtja e top shkoi lartë.

Por, Korenica nuk gaboi tani – ishte minuta e 45+1-të, kur lojtari e kaloi Ballkanin në epërsi për rezultatin 1-0 me një asistim të Trashit.

Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për skuadrën tonë, duke shënuar edhe golin e dytë qysh në minutat e parë.

Ishte minuta e 55-të e takimit, kur Trashi e gjeti për mrekulli Qëndrim Zybën, që realizoi gol të bukur për 2-0.

Kuç (63’) kishte mundësinë që ta shënonte golin e tretë për skuadrën e tij, mirëpo goditje e tij e priti portieri Sergio Padt.

Katër minuta më vonë, Ludogorets rrezikoi nëpërmjet Pedro Naressi, ndërsa Enea Koliçi e dërgoi topin jashtë.

Në minutat e fundit të ndeshjes, Zyba ishte i pandalshëm, duke kaluar me lehtësi në mbrojtjen kundërshtare, ndërsa i mungoi vetëm saktësi për të shënuar gol.

Ky padyshim se është një rezultat i madh për Ballkanin, duke ditur se Ludogorets ishte parë si favorit para fillimit të takimit, ndërsa skuadra kosovare do të synojë të nxjerr rezultat pozitiv edhe nga ndeshja e dytë që zhvillohet më 19 korrik për të kaluar në rrethin e dytë.

Komento: