Ballkani në play-off të Ligës së Konferencës, fiton edhe si mysafir ndaj Lincoln Red Imps

20:17 | 17 August 2023

Ballkani ka fituar edhe në ndeshjen kthyese ndaj Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, me rezultat 3-1 në kuadër të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës, duke siguruar fazën play-off.

Edhe pse me një rezultat të favorshëm nga ndeshja e parë, Ballkani ka dominuar kundërshtarin në 45 minutat e para, si me mbajtje topi, ashtu edhe me goditje në portë.

I pari rrezikoi Nazmi Gripshi i cili nga distanca goditi transversalen në minutën e 7-të.

Vendasit rrezikuan me ganezin Mustapha Yahaya në minutën e 17-të, por Enea Koliçi ishte në vend.

Rastin më të mirë në ndeshje e kishte Albin Berisha në minutën e 29-të, kur doli i vetëm përballë portierit Dayle Coleing, gjuan, por portieri vendas priti goditjen e tij.

Në minutën e 42-të edhe Almir Kryeziu doli i vetëm me portier, por as ky nuk qëlloi rrjetën.

Me të filluar pjesa e dytë Ballkani mori golin e qetësisë, kur Gripshi asistoi te Meriton Korenica, i cili me një gjuajtje të bukur nga distanca shënoi për 1-0.

Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 64-të, Ballkani shënoi edhe golin e dytë, ku Bleart Tolaj i posa futur në lojë asistoi te Edvin Kuc që shënoi për 2-0.

Por pas dy minutash vendasit arritën të zvogëlonin epërsinë e kampionëve tanë në 2-1 me golin e Juampe.

Edhe pse kishte raste deri në fund, rrjetat heshtën deri në kohën shtesë kur Ballkani shënoi golin e tretë.

Ishte Qëndrim Zyba që shënoi pas asistimit të Lumbadh Dellovës për 3-1.

Ballkani me këtë fitore siguron play-offin e Ligës së Konferencës, ku me shumë gjasë do të përballet me klubin e njohur bjellorus Bate Borisov.

Komento: