Një nga premtimet e Kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës së vitit 2021, para ardhjes në pushtet ka qenë ofrimi i banimit me kosto të përballueshme për mësimdhënësit, një iniciativë që synonte të lehtësonte kushtet e jetesës për ata që kontribuojnë në arsimimin e brezave të rinj.
Po ashtu, ai kishte premtuar se do të krijohej një model shpërblimi për performancën e mësimdhënësve, në bashkëpunim me sindikatat dhe organizatat përkatëse, për të stimuluar dhe motivuar më shumë mësimdhënësit në punën e tyre.
‘’Për mësimdhënësit do të ofrojmë edhe banimin me kosto të përballueshme. Në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të shpërblimit të performancës’’ thoshte Kurti me 2021.
Megjithatë, as pas katër viteve nga ardhja e Qeverisë Kurti në pushtet, asnjë nga këto zotime nuk janë realizuar.
Mësimdhënësit, të cilët kishin pritur mbështetje për të përmirësuar kushtet e tyre, vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha, ndërsa kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve të punës mbeten të paplotësuara.
Madje konsiderohet se mësimdhënësit dhe sindikatat e arsimit janë injoruar nga Qeveria Kurti.
Xhavit Rexhaj: Ministria e Arsimit nuk ka obligim të sigurojë banim për mësimdhënësit, Kurti dështoi
Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, për FrontOnline, ka kritikuar premtimet e bëra nga Kryeministri lidhur me sigurimin e banimit për mësimdhënësit, duke theksuar se Ministria e Arsimit nuk ka kompetenca për të realizuar një premtim të tillë.
‘ Nuk e di pse i ka bërë ato premtime sepse Ministria e Arsimit nuk e ka për obligim të siguroj banim për mësimdhënësit’’ thotë ai.
Sipas tij, aktivitete të tilla janë të pa realizuara dhe se shpërblimi për performancën e mësimdhënësve është ende në proces dhe nuk është finalizuar.
‘’Të dyjat janë aktivitete të pa realizuara’’ shton ai.
Rexhaj shtoi se Kryeministri mund të bëjë premtime, por jo Ministria e Arsimit, që nuk ka burime për të realizuar këtë lloj angazhimi.
‘’Kryeministri mundet me premtu por jo Ministria e Arsimit derisa shpërblimi i përformancës për mësimdhënësit, është zhagitë, nuk është përfundu edhe nuk është realizuar’’ potencoi Rexhaj.
Artan Nimani: Qeveria Kurti ka tentuar të shantazhojë mësimdhënësit, jo t’i vlerësojë
Kandidati për deputet nga koalicioni “Për Kosovën Fituese”, Artan Nimani, për FrontOnline, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën se si ka trajtuar mësimdhënësit.
Ai theksoi se në vend të vlerësimit të duhur, Qeveria ka tentuar të shantazhojë mësimdhënësit, duke kërkuar që ata të rivlerësohen për shkollimin e tyre paraprak.
‘’Sa i përket vlerësimit të mësimdhënësve, Qeveria nuk ka pasur synim të bëjë vlerësimin e tyre, por ka tentuar të i shantazhoj ato, duke kërkuar riverifikimin e shkollimit të tyre paraprak’’ tha ai.
Nimani po ashtu tha se, në vend që të angazhohej në trajnime për mësimdhënësit, Qeveria ka zgjedhur një qasje destruktive, duke i lënë dhe shantazhuar ata.
‘’Qeveria Kurti do të duhej të angazhonte trajnime për mësimdhënësit dhe jo të bëjë avantuar duke i linquar dhe shantazhuar mësimdhënësit’’ shtoi ai.
Ai theksoi se, që nga ardhja e Kurtit në pushtet, shantazhimi i mësimdhënësve dhe institucioneve të tjera ka qenë prioriteti i vetëm i kësaj qeverie.
‘’Prej ardhjes në pushtet, Kurti është marr vetëm me shantazhimin e mësimdhënësve, por edhe të niveleve tjera’’ potencoi Nimani.
Rrahman Jasharaj: Qeveria Kurti ka pasur qëndrim të gabuar ndaj SBASHK-ut, ka dështuar në trajtimin e kërkesave
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për FrontOnline ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosrealizimin e premtimeve dhe kërkesave të bëra nga sindikata.
Ai theksoi se, para se të vinë në pushtet, Kurti dhe Qeveria e tij kishin dhënë shumë premtime, por asnjë nga këto premtime dhe kërkesa legjitime të SBASHK-ut, të cilat kishin kosto shumë më të ulët, nuk janë realizuar.
‘’Qeveria Kurti dhe vetë kryeministri para se me ardhë në pushtet kanë dhënë shumë premtime, por asnjë nga kërkesat tona dhe premtimet e tij nuk janë realizuar’’ tha ai.
Jasharaj shtoi se Qeveria Kurti ka pasur një qëndrim të gabuar dhe një qasje të papërshtatshme ndaj SBASHK-ut, duke theksuar se nuk ka pranuar as dialog me sindikatën.
‘’As kërkesat tona legjitime që kanë kosto shumë më të ulët, nuk janë realizuar. Qeveria Kurti ka pasur qëndrim jo të duhur, qasje të gabuar ndaj gjithë SBASHK-ut dhe kjo kuptohet edhe ndaj kërkesave tona’’ deklaroi Jasharaj.
Ai po ashtu theksoi se kërkesat për arsimin nuk janë përmbushur dhe se ka pasur një trajtim të gabuar nga ana e Qeverisë ndaj sindikatës.
‘’ Nga Qeveria Kurti nuk ka pranuar as dialog. Sa i përket arsimit, ato nuk janë realizuar dhe ka pasur qasje të gabuar ndaj nesh” përfundoi ai.
Rinor Qehaja: Akomodimi për mësimdhënësit duhet të kalojë nga premtim elektoral në mekanizëm meritokratik
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka vlerësuar politikat që nxisin rritjen e interesimit për profesionin e mësimdhënësit, duke përfshirë edhe akomodimin e garantuar nga Qeveria.
‘’Politikat që nxisin në rritje të interesimit për profesionit e mësimdhënësit padyshim që janë të mirëseardhura, përfshirë këtu edhe akomodimin e garantuar nga qeveria’’ tha ai.
Ai theksoi se këto politika janë të mirëseardhura, por duhet të shkojnë përtej një premtimi elektoral dhe të kthehen në një mekanizëm të strukturuar dhe meritokratik.
‘’Kjo, padyshim, në mënyrë që të ketë kuptim-si iniciativëduhet të shkoj përtej një premtimi-elektoral-dhe-të-kthehet në një mekanizëm të strukturuar dhe meritokratike’’ shtoi ai.
Sipas Qehajës, për të pasur një ndikim të vërtetë dhe për të motivuar mësimdhënësit, politikat e përkrahjes duhet të jenë të lidhura drejtpërdrejt me performancën e tyre.
Ai theksoi se është më me rëndësi që të realizohen politika konkrete që mbështesin mësimdhënësit në përmirësimin e cilësisë së arsimit, duke i shpërblyer ata për përformancën e tyre dhe duke krijuar mundësi reale për avancim në karrierë.
‘’Mirëpo, në gjykimin-tim, më me rëndësi është të jetësohen- politika-përkrahëse për profesionin e mësimdhënësit që janë të lidhura-drejtpërdrejt me performancës së mësimdhënësit’’ deklaroi ai.