Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore ka miratuar të shtunën Financimin e Politikave Zhvillimore (FPZH) për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme, që do të mbështesë reformat e Kosovës drejt përmirësimit të transparencës fiskale, zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së qëndrueshmërisë mjedisore pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Ky financim, në vlerë prej 50.6 milionë euro, mbështet prioritete të përzgjedhura nga Programi i Qeverisë për periudhën 2021–2025.
“Reformat e përkrahura nga ky operacion do të mbështesin Qeverinë e Kosovës në rrugëtimin për rritje më të qëndrueshme përtej recesionit të shkaktuar nga COVID-19”, ka thënë Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Banka Botërore thotë se sektori privat në Kosovë mbetet nën nivelin e pritur sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit.
“Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik. FPZH do të mbështesë një sërë masash [të Qeverisë] për të përmirësuar mjedisin mbështetës për zhvillimin e sektorit privat”, vijon komunikata e BB.
Sipas BB-së, qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja e rritjes ekonomike në Kosovë është gjithashtu e rrezikuar ndjeshëm nga sfidat urgjente mjedisore dhe ndryshimet klimatike.
“Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda. Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës. Për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për një tranzicion të gjelbër, FPZH do të mbështesë gjithashtu reformat mjedisore në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave”, vijon komunikata.
Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me grejs-periudhë prej 5 vjetësh.
Projekti do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.