
Banka Qendrore Evropiane ka prezantuar 10 propozimet finale për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro, ndërsa ka ftuar qytetarët evropianë që të japin mendimin e tyre përmes një ankete publike.
Gjatë prezantimit u bë e ditur se propozimet janë ndarë në dy tema kryesore: “Kultura evropiane” dhe “Lumenjtë dhe zogjtë”, me nga pesë dizajne për secilën temë.
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Kristine Lagard tha se procesi është zhvilluar me përfshirjen e jurive, dizajnerëve, ekipeve të BQE-së dhe institucioneve të tjera të Eurosistemit, transmeton KosovaPress.
Sipas saj, më shumë se 365 mijë evropianë kanë dhënë mendimet e tyre në vitin 2023 për temat që duhet të paraqiten në kartëmonedhat e ardhshme.
Në kuadër të temës “Kultura evropiane”, në pjesën e përparme të kartëmonedhave parashihen figura të njohura të historisë evropiane. Shkencëtarja Marie Kyri- Skłodoëska është propozuar për kartëmonedhën 20 euro, ndërsa Ludëig van Beethoven për atë 10 euro.
Në pjesën e pasme të këtyre dizajneve paraqiten vende dhe aktivitete të përbashkëta kulturore. Në kartëmonedhën 10 euro është propozuar një kor duke performuar, ndërsa në atë 50 euro një bibliotekë.
Tema e dytë, “Lumenjtë dhe zogjtë”, sipas Bankës Qendrore Evropiane, simbolizon lirinë, unitetin ndërmjet evropianëve dhe lidhjen me natyrën.
Në pjesën e përparme të kartëmonedhave të kësaj teme janë paraqitur zogj dhe peizazhe lumore, ndërsa në pjesën e pasme institucione evropiane.
Banka Qendrore Evropiane është propozuar të shfaqet në kartëmonedhën 20 euro, ndërsa Parlamenti Evropian në atë 5 euro.
Nga 10 propozimet, njëri pritet të zgjidhet si dizajni i serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro në fund të vitit 2026.
Anketa publike do të jetë e hapur deri më 21 shtator. Qëllimi i saj është mbledhja e mendimeve të qytetarëve për secilin propozim, në mënyrë që ato t’i shërbejnë Këshillit Drejtues të BQE-së gjatë marrjes së vendimit përfundimtar.
