Bankave në Kosovë nuk ua lë shenjë koronavirusi, fitojnë rreth 45 milionë euro për 7 muaj – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Bankave në Kosovë nuk ua lë shenjë koronavirusi, fitojnë rreth 45 milionë euro për 7 muaj

09:24 | 01 Shtator 2020

Bankat komerciale në Kosovë, rreth 45 milionë euro fitime për shtatë muaj.

Gjatë shtatë muajve të parë të vitit të gjitha bankat komerciale në vend kanë krijuar profit neto rreth 45 milionë eurosh. Duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, fitimi i tyre është më i vogël për 4.1 milionë euro.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi sistemin financiar, shihet se të hyrat e bankave kanë qenë 159.2 milionë euro, ku 121.6 milionë euro ishin të hyra nga interesi, kurse në muajin korrik të 2019-së është raportuar se këto të hyra ishin 151.2 milionë euro.

Për sa i përket shpenzimeve të bankave, në raport thuhet se 62.2 milionë euro kanë qenë shpenzime administrative nga 114.5 milionë euro të shpenzimeve të përgjithshme, shkruan Telegrafi.

Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.

Vlera e depozitave deri në këtë periudhë arriti në 3.95 miliardë euro, krahasuar me 3.5 miliardë euro që ishin një vit më herët, pra kishte rritje vjetore prej 12.2 për qind.

“Norma efektive e interesit për depozita në muajin korrik të vitit 2020 është 1.4 për qind, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi të reja është 6.1 për qind dhe paraqet dallim prej 4.7 pikë përqindje”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Kjo diferencë e lartë ka ndikuar që bankat gjatë kësaj periudhe të arrijnë fitime mjaft të larta. Derisa dallimi mes interesit në kredi dhe depozita do të jetë i lartë, bankat do të vazhdojnë të kenë shumë të hyra nga interesi dhe fare pak shpenzime për interes.

Kreditë e këqija sipas raportit të BQK-së aktualisht janë 2.5 për qind.

“Deri në muajin korrik 2020, sektori bankar regjistroi rënie të kredive jo-performuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i tyre shënoi rritje në 2.5 për qind nga 2.4 për qind që ishte në muajin korrik 2019. Niveli i mbulueshmerisë së këtyre kredive me provizione në këtë muaj arriti në 141.2 për qind”, shpjegon raporti.

Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 10 banka komerciale, prej të cilave 8 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 216, kurse këto banka kanë të punësuar 3,382 punëtorë.

Komento: