Banorët e Çikatovës së Vjetër zotohen se pronat e tyre do t’i mbrojnë edhe me jetë

10:18 | 29 Prill 2019

Banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër po përballen me një problem të madh.

Komuna e Drenasit ka njoftuar banorët e Çikatovës së Vjetër, të lagjeve “Morina” dhe “Makolli”, se “Ferronikeli” ka të drejtën e shfrytëzimit të ngastrave kadastrale të lagjes “Morina” dhe “Makolli” të Çikatovës së Vjetër, pasi që AKP-ja ka konfirmuar se ato i janë shitur “Ferronikelit” me procedurë të likuidimit më 15.06.2006. Por banorët po e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Është tensionuar tej mase situata në mes të banorëve të Çikatovës së Vjetër dhe Komunës së Drenasit, si dhe të kompanisë “Ferronikeli” rreth pronave të banorëve të lagjes “Morina” dhe “Makolli” të Çikatovës së Vjetër, të cilat “Ferronikeli” pretendon se janë të vetat dhe është përpjekur disa herë, madje edhe me Polici, të hyjë dhe t’i shfrytëzojë për nxjerrje të xehes së niklit.

Banorët e Çikatovës së Vjetër kanë bërë fajtore Komunën e Drenasit për shkak se, siç kanë thënë ata, “pronat e tyre ia kanë shitur ‘Ferronikelit’”. Ata nuk kanë lejuar në disa raste që menaxhmenti i kompanisë “Ferronikeli” të presë drutë në malin, që pastaj do të eksploatohej për xehe. Së fundi atje në pronat e çikatovasve ka shkuar me Polici edhe një kompani për prerje të drunjve, e cila ka hasur në rezistencë të banorëve. Ata kishin dalë me gra e me fëmijë në mbrojtje, siç patën thënë, “të pronave të të parëve të tyre”, shkruan tutje sot gazeta “Zëri“.

Situata kishte përfunduar në atë mënyrë që komandanti i Stacionit të Policisë në Drenas kishte kërkuar nga menaxhmenti i “Ferronikelit” që t’i tërheqë punëtorët nga mali i cili është ngjitur me minierën e niklit, si dhe nga banorët që të kthehen në shtëpitë e tyre derisa të sqarohet situata.

Komento: