Kosova ka barazuar 1-1 me Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kualifikimet për Euro 2024, duke i mbyllur ndeshjet e marsit me dy pikë në dy takime.
Dardanët e nisën ndeshjen më mirë, duke sulmuar ekipin mysafir që luante humb mbrapa.
Shansi i parë për Kosovën erdhi në minutën e tetë, kur Vedat Muriqi gjuajti me kokë, por kishte shkaktuar faull më herët.
Edhe në minutat në vazhdim, Andorra u mbrojt me të gjitha forcat në mbrojtje, duke mos arritur të kalojnë as gjysmën e tyre të fushës.
Në minutën e 21-të, Milot Rashica pasoi te Arbër Zeneli, por ky i fundit nuk arriti të shënonte nga një pozitë ideale.
Deri në fund të pjesës së parë, Kosova vazhdoi me sulme në drejtim të portës mysafire, derisa Muriqi (44′) kishte një mundësi të artë shënimi, por portieri Iker Alvarez e stopoi atë.
Pjesa e dytë nisi furishëm, pasi u shënuan dy gola brenda dy minutave.
Ishte minuta e 59-të e takimit, kur Milot Rashica asistoi te Edon Zhegrova që e mposhti me mjeshtri portierin kundërshtar.
Mirëpo, nga një gabim i Aro Muric, Andorra ia doli të shënonte pas vetëm dy minutash nga goli i tanëve, me anë të Berto Rosas për 1-1.
Në minutën e 66-të, Milot Rashica u rrëzua në zonë, por gjyqtari nuk dha penallti, ndërsa momenti nuk u rishikua nga VAR-i.
Edhe Muriqi (71’) u pengua në zonë, por sërish gjyqtari heshti, ndërsa e njëjta situatë ishte edhe për Zhegrovën në minutën e 86-të, që u rrëzua brenda zonës së rreptësisë.
Kosova doli edhe nga ky takim me një pikë, ndërsa ka dy sosh në grupin I, duke mbetur katër pikë mbrapa Zvicrës dhe Andorrës që janë në krye, Andorra dhe Izraeli me nga një, ndërsa Bjellorusia ende pa asnjë.