Barcelona ka dalë me komunikatë zyrtare pas lajmit që Lionel Messi do t’i bashkohet Inter Miamit në ligën MLS në SHBA.
“Të hënën, më 5 qershor, Jorge Messi, babai dhe përfaqësuesi i lojtarit, informoi presidentin e klubit, Joan Laporta, për vendimin e futbollistit që t’i bashkohet Inter Miamit, pavarësisht se i ishte paraqitur një propozim nga Barça, duke marrë parasysh dëshirën e FC Barcelonës dhe Lionel Messit që ai ta veshë edhe një herë fanellën ‘blaugrana’ .r
Pesidenti Laporta e kuptoi dhe e respektoi vendimin e Messit që dëshironte të garonte në një ligë me kërkesa më të vogla, shumë larg qendrës së vëmendjes dhe presionit që e ka pasur në vitet e fundit.
Joan Laporta dhe Jorge Messi po ashtu u pajtuan që të punojnë së bashku për të promovuar përshëndetjen e duhur nga tifozët e Barçës, për ta nderuar futbollistin që gjithmonë ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë i dashur nga Barça”, shkruhet në komunikatën e Barcelonës të mërkurën mbrëma.