Barcelona fiton minimalisht ndaj Bilbaos

23:21 | 12 March 2023

Barcelona fiton me shumë vështirësi ndaj Bilbaos, vendos goli i Raphinhas.

Barcelona ka regjistruar fitoren e radhës në La Liga për të mbajtur në nëntë diferencën e pikëve me Real Madridin.

Skuadra e drejtuar nga Xavi fitoi me mjaft vështirësi sonte në udhëtim kundër Athletic Bilbaos, në kuadër të javës së 25-të, shkruan Gazeta Express.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “San Mames” përfundoi me rezulatin 0:1.

Golin e vetëm dhe të tre pikëve për katalunasit e shënoi Raphinha, në fundin e pjesës së parë.

Baskët regjistruan raste të shumta në pjesën e dytë, por Marc-Andre Ter Stegen ia mohoi golin e tyre në shumicën e rasteve.

Vendasit ia dolën të shënonin në minutën e 87-të përmes Inaki Williams, por goli i tij u anulua pas rishikim me VAR për shkak se në këtë aksion Iker Muniain luajti me dorë.

Barcelona pas kësaj fitore ka 65 pikë në krye të tabelës, nëntë më shumë se Real Madridi. Kujtojmë se “El Clasico” do të zhvillohet javën e ardhshme, në “Camp Nou”.

Bilbao ndodhet në pozitën e nëntë me 33 pikë.

Komento: